Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar nga Amsterdami se Shqipëria është pro propozimit francez për procesin e anëtarësimit në BE dhe ka shpjeguar se komunitetit i ri politik do ta bashkojë Ballkanin në tryezën e diskutimeve për tema me peshë ndërkombëtare.

“Jemi tërësisht përkrah komunitetit të ri politik sepse ngushton këtë hendek psikologjik midis nesh si europian dhe europianëve të BE. Ky ka për qëllim të krijojë kushtet që ne të bëhemi bashkë kur bëhet fjalë për sfida të mëdha që prekin BE dhe këtë pjesë të BE-së që është Ballkani Perëndimor. Në kufirin tuaj të brendshëm jemi ne. Për të ardhur në vendet e BE-së kalon nga ne, prandaj si të mos jemi bashkë për çështje madhore si klima, lufta. Por edhe për rininë. Kjo platformë do të krijojë kushtet që të jemi një”, tha Rama në konferencën e përbashkët me homologun Mark Rutte.

Ndërkohë kryeministrit iu desh të shpjegonte edhe nismën “Ballkani i Hapur” duke i kërkuar BE-së që është tepër e rëndësishme që Serbinë ta mbajmë me vete dhe ta shkëpusim nga linja e agresionit rus.

“Së dyti për “Ballkanin e Hapur” kam folur me Markun dhe kam thënë se Ballkani është pjesa më e cenueshme e zinxhirit që mund të preket dhe larg qoftë të thyhet si pasojë e luftës në Ukrainë dhe anës lindore, sepse Rusia ka një influencë të qartë brenda, lidhje tradicionale, ndaj u them se duhet ta marrim Serbinë me ne. Prandaj ka ndihmuar “Ballkani i Hapur”, dhe të kuptohet se Serbia ka nevojë për kohë lidhur me sanksionet. “Ballkani i Hapur” ka të bëjë me krijimin brenda të rajonit të një strukture lirie si e BE-së me katër pikat e saj që na bënë vende më të pjekura për t’iu bashkuar BE-së kur t’i vijë koha”, nënvizoi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb