Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dje se në Fier janë prekur edhe 7 persona nga COVID-19. 6 nga rastet e njoftuara mësohet se janë nëpunës të Kadastrës.

Këta të fundit ishin vetëizoluar prej disa ditësh kur u konstatua rasti i parë mes punonjësve të këtij institucioni. Ky i fundit ishte pjesë e kontakteve të mjekut anestezist i infektuar javën e shkuar nga kontaktet me të afërm në Vlorë.

Gjithsej në Kadastrën e Fierit janë 7 nëpunës të infektuar me koronavirus dhe një pjesë e mirë e stafit të karantinuar.

Pacientët janë duke u trajtuar në banesat e tyre ndërsa puna në këtë institucion vijon për shërbimet ndaj institucioneve dhe noterëve, gjykatë dhe policisë. Në kadastrën Fier punojnë 40 punonjës ndërkohë që vetëm 10 prej tyre aktualisht janë në punë ndërkohë që të tjerët janë në karantinë në shtëpi. Për sa i përket shërbimit ndaj qytetarëve ai ofrohet normalisht nëpërmjet e-albania dhe sporteleve Adisa.

Ndërkohë institucioni është dezinfektuar për të ndaluar përhapjen e virusit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb