TIRANË

“Me gjithë problemet që ka Berisha, Basha ne kemi nevojë për opozitë të fortë”. Kështu deklaron analisti Fatos Lubonja, duke komentuar përplasjen Berisha-Basha si dhe situatën politike apo qeverisjen e Edi Ramës në vend.

Lubonja tha në “Real Story” në News24 se Basha është i dobët duke shpjeguar arsyet sipas tij, teksa theksoi se situata mes tij e Berishës është e përgatitur nga Edi Rama.

“Ne sot duhet të ishim këtu, ne mediat të gjitha duke u marrë me qeverinë, me energjinë, me shumë probleme që kemi, me borxhin etj dhe kemi kaq kohë që merremi Basha-Berisha… që është një problem edhe i asaj opozite që kanë arritur këtu.
Basha është i dobët, pse është i dobët? Për dy arsye, ka qenë bashkëpunëtor me Berishën, nëse bëhen akuza për korrupsion, për sistemin e ngritur me oligarkë, janë ata që e kalëruan këtë sistem që u ngrit nga Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama. Është ngritur në atë kohë dhe ata kanë vazhduar të bashkëpunojnë, e para dhe e dyta është i dobët sepse deri dje jo vetëm Basha, nuk kanë thënë që ky Berisha është përgjegjës për këtë sistemin e oligarkisë që ka ngritur dhe Rama e ka çuar më tej, ne kemi përgjegjësitë tona, por kanë thënë gjer dje na thonë amerikanët, ky është burrë i mirë, ne do e heqim. Kur nuk je i zoti të mbrosh kryetarin tënd, kjo është dobësi. Në vend që kjo krizë të shërbejë pikërisht për të hapur këtë debat, si u ngrit sistemi, kush e ngriti, kush po e punon sistemin… Lulzim Basha duhet t’i thoshte amerikanëve, ore zotërinj ne kemi përgjegjësi por kemi 8 vjet që kemi ikur dhe korrupsioni gjasme që doni të luftoni është më i madh tani, ose nëse doni të bëni politika me Edi Ramën na lini të bëjmë punën tonë. Me gjithë problemet që ka Berisha, Basha ne kemi nevojë për opozitë të fortë. Basha plus Berishën, e bënte më të fortë PD-në, si bandë, por gjithsesi. Kjo situatë që këta të dy luftojnë me njeri-tjetrin është e përgatitur nga Rama, këta nuk kanë kurajë t’u thonë amerikanë s’e bëjmë dot. Të gjitha këto janë dobësitë e tyre që sot po bën qejf Edi Rama. Është tamam në lojën e tij. Problemi ynë është shumë më i madh, energjinë që na e shet e blen në këto forma dhe ne merremi me këtë. Këtu është një skandal total dhe ne akoma merremi me opozitën. Unë mendoj që përgjegjësinë e parë e ka Basha që nuk i tha dot amerikanëve jo. E dyta është përgjegjësi e Bashës sepse s’ka bërë gjë përpara për të luftuar ato që thashë. Edhe Berisha është në lojën e vet, ky është Berisha. Atë gjuhë që ka përdorur me opozitën, atë po përdor dhe me Bashën”, deklaroi Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb