Të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, ekstradohen drejt Shqipërisë, 3 shtetas të kapur në Kosovë, Kroaci dhe Itali.

Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Interpol Tirana, si rezultat i bashkëpunimit me homologët kosovarë, kanë ekstraduar nga Kosova drejt Shqipërisë, shtetasin Shpejtim Halimi.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 21.07.2021, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Përndjekja”.

Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët kroatë është ekstraduar nga Kroacia drejt Shqipërisë, shtetasi Aleksander Nik-Ramaj.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Kroaci, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e datës 13.12.2019, e ka dënuar këtë shtetas me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas, në vitin 2017, pas një konflikti për motive të dobëta, në Vlorë, ka plagosur rëndë, me mjet prerës thikë, shtetasin V. C.

Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Roma, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, shtetasi E. R., 51 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 06.02.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Shtetasi E. R., në vitin 2019, gjatë kohës që ushtronte profesionin e mjekut, në spitalin e burgut të Peqinit, dyshohet se i ka kërkuar shumën 2000 euro, të afërmit të një dënuari me 35 vjet burgim, për vrasje, që të përpilonte një raport mjekësor, për dërgimin e të dënuarit në spital, për të kryer një operacion. Gjithashtu, gjatë kohës së ushtrimit të kësaj detyre, shtetasi E. R. dyshohet se ka patur dijeni për një të dënuar që mbante aparat celular në ambientet e burgut, por nuk ka kallëzuar.

Shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb