Policia e Kavajës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Vrasja” të kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se ka rënë në pranga shtetasi Nikolla Dura (Duri), i cili pritet të ekstadohet drejt Italisë, pasi Gjykata e Firences i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor “Ndjekja”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Interpol Tirana, në koordinim nga Drejtoria e Krimeve kundër Personit dhe Pasurisë në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 59-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Interpol Tirana, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndjekja”, në kuadër të të cilit u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit N. D.(D.), 59 vjeç, banues në Lushnjë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb