TIRANË

Kapen në Itali dhe ekstradohen drejt Shqipërisë dy të kërkuar, të dyshuar për vrasje dhe trafikim të narkotikëve.

Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Roma, Itali drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Igli Memaj (S)., 32 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale” Vrasje në rrethana cilësuese “kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

“Më datë 10.05.2019, shërbimet e Policisë Vlorë janë njoftuar për një ngjarje kriminale, për të cilën shtetasi Igli Memaj, në bashkëpunim me shtetasit F. T., G. D., D. E dhe A. L. janë autorë të dyshuar se kanë qëlluar me armë zjarri nga automjeti tip “Land Rover” në drejtim të një grup personash, në pjesën e jashtme të një lokali te Ujë i Ftohtë”, deklaron policia.

Më 10 maj të vitit të kaluar 5 persona, një prej tyre 32-vjeçari i ekstraduar nga Roma, qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali ku shënjestër ishte Inez Hajrulla por i plagosën kalimtarin 63-vjeçar Dajko Cenodemaj.

Në nëntor të vitit të kaluar për të njëjtën ngjarje policia arrestoi shtetasit Daut Elmazi, 25 vjeç, banues në Vlorë; Albano Goxhaj, 24 vjeç, banues në Fier; Dejvison Serjani, 28 vjeç, banues në Tiranë; Ardjan Ahmeti, 26 vjeç, banues në Tiranë.

Po nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano/Itali, i shtetasit shqiptar L. S., 31 vjeç, lindur në Laç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z. Q. K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin penal nr. 271, datë 29.07.2016, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Më datë 28.07.2016, në automjetin që drejtohej nga shtetasi L. S. janë gjetur dhe sekuestruar 6 kg e 615 gr. cannabis sativa. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë Durrës, ky shtetas është larguar menjëherë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tyre në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb