Policia e Tiranës ka arrestuar një 28-vjeçar të shpallur në kërkim, i dyshuar për disa raste vjedhjesh në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve janar, shkurt dhe prill të vitit 2025, ka kryer 7 raste vjedhjeje, përfshirë vjedhjen e 3 celularëve, 2 portofolëve, aksesorëve të një automjeti, produkteve të një dyqani, si dhe grabitjen e një varëse floriri nga qafa e një shtetaseje.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar vjedhje të tjera të mundshme të kryera nga i riu.
Njoftimi:
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, si rezultat i hetimeve të kryera në bazë të kallëzimeve të bëra nga qytetarë të ndryshëm, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Last time”.
Në kuadër të operacionit, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim N. D., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve janar, shkurt dhe prill 2025, ka vjedhur në vende të ndryshme, 3 celularë, 2 portofola, aksesorë të një automjeti dhe produkte të ndryshme në një dyqan, si dhe i ka marrë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.