TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka pohuar se në luftën përballë koronavirusit shqiptarët kanë vetëm njeri-tjetrin dhe Zotin. Në intervistë për News24, Rama foli për përgjegjësitë e tij dhe tha se nuk do donte të ishte në këtë moment në detyrë duke kujtuar presidentin e 36-të amerikan Lyndon Johnson që mori presidencën pas vrasjes së John F. Kennedy. Për kritikat, Rama thotë se nuk e ka problem:  “më shani mua sa të doni por mjafton të zbatoni rregullat”.

Në këtë luftë jemi të vetëm?
Në këtë luftë çdo vend është vetëm prandaj ne kemi vetëm njeri-tjetrin dhe Zotin e shqiptarëve që është i madh. Më besoni është i madh.

Ju keni vendosur të dilni vetë përpara popullit me mesazh që shpërndani herë nga shtëpia juaj e herë nga zyra juaj. Për këtë jeni kritikuar dhe kanë dalë disa meme…
Unë mendohem çdo ditë nëse duhet të publikoj disa nga këto se janë të mrekullueshme dhe si në çdo kohë të zymtë njeriu ka dhe një humor më të spikatur. Unë i falënderoj këto sepse ndihmojnë në përçimin e mesazhit qe unë dua të përçoj. Unë dal i vetëm por nuk jam i vetëm, e bëjnë dhe shumë të tjerë. Nuk do doja të isha në këtë moment në këtë detyrë. Çdo ditë sa hap sytë më kujtohet fjalia e presidentit Lyndon Johnson kur doli për të dhënë lajmin e vrasjes së Kennedy-t, kur tha ‘do të jepja gjithçka me kënaqësi të mos isha unë këtu sot’. Por është një përgjegjësi e pashmangshme dhe detyrimi im ta mbaj këtë përgjegjësi. …

Më shumë se asnjëherë tjetër unë jo vetëm e di sepse e di gjithmonë por e ndiej peshën e madhe të shqetësimeve të çdo familje dhe më shumë se çdo herë tjetër më duket se familja ime është e përbërë nga ata që jetojnë sot në këtë vend. Ashtu siç në familjen tonë na duhet të flasim më shumë, të komunikojmë më shumë, më duhet të bëj këtë gjë. Për kritikat nuk ka asnjë problem. Unë jam shumë mirëkuptues, madje ju kam thënë dhe e përsëri me shumë sinqeritet më shani mua sa të doni por mjafton të zbatoni rregullat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb