TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur për situatën e krijuar në vend nga pandemia e COVID-19, menaxhimin e situatës si dhe për disa çështje të tjera të kthyera në debatin e ditës si ajo e ndryshimeve në kodin penal.

Meta tha se në kodin penal ka një boshllëk në trajtimin e një situate të tillë por se ndryshimi duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme.

“Kjo situatë e jashtëzakonshme kërkon përgjegjshmëri maksimale nga të gjithë aktorët me interesin e vetëm që të mbrohet shëndeti i çdo qytetari dhe ekonomia jonë. Unë përmbush me përgjegjësi maksimale detyrat e mia dhe inkurajoj të njëjtën gjë.

Ndryshimet në kodin penal, kanë tërhequr vëmendjen. Në kodin penal ka një boshllëk në trajtimin e një situate të tillë, të veçante dhe të pa hasur më parë. Ndryshimi i kodit penal është i rëndësishëm por duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme sepse nuk mund të ndryshohet kodi në mënyrë të vazhdueshme. Iniciativa ka qenë e maxhorancës dhe ka ndryshime të qarta mes draftit të parë dhe draftit që është miratuar. Maxhoranca dhe qeveria kanë kërkuar të bashkëpunojnë me institucionin e Presidentit dhe ne kemi dhënë mendimet tona që ndryshimet të ishin sa më shumë në frymën e Kushtetutës por dhe konventën europiane të të drejtave të njeriut.

Ajo që duhet të jemi të gjithë dakord është se ka pasur një boshllëk. Drafti i parë ka krijuar me të drejtë një ilaritet dhe një kundërshtim në opinionin publik, nga media dhe shumë aktorë të tjerë por duhet të keni në konsideratë që kjo situatë është e panjohur për ne. Në çdo rast ky lloj boshllëku do ishte më mirë të plotësohej dhe të plotësohej në një mënyrë sa më racionale dhe këtu ka konsistuar dhe përpjekja e institucionit të Presidentit.

Draftin përfundimtar nuk e kam ende në zyrë. Në momentin që drafti do të vijë do kem një qëndrim përfundimtar publik. Do presim variantin përfundimtar dhe unë do mbaj dhe qëndrimin tim si President. Mendoj që ka ndryshime të rëndësishme nga drafti i parë”, deklaroi Presidenti Meta në “Open”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb