Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu, duke folur për emisionin “Kjo javë” në “News 24” deklaroi se në korrik 2021, tarifat roming në rajon do të zërohen.

Bregu theksoi se rajoni duhet të ecë përpara në rrugën e integrimit si një treg i përbashkët.

“Në Berlin u vendos nga liderët e Ballkanit Perëndimor që të krijohet treg i përbashkët rajonal. Prej ditës së martë, vendet e rajonit të funksionojnë si treg i përbashkët. Ky është një plan i ri për 4 vitet e radhës. Kjo do të thotë se do të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve në rajon. E rëndësishme është për qytetarët e Kosovës, pasi ata janë sot pa regjim vizash.

Për qytetarët e Kosovës, ka shumë rëndësi të lëvizin lirshëm në rajon. Rajoni duhet të ecë përpara si një treg i vetëm. Telefonatat do jenë edhe më lirë brenda rajonit. Krijohet tregu i investimeve në rajon. Roming ka hyrë në fuqi në korrik të vitit që kaloi, e tashmë paguajnë më pak. Në korrik 2021 tarifa zerohet”, tha Bregu.

Majlinda Bregu theksoi se bashkëpunimi rajonal vetëm shton të mirat për qytetarët e shteteve të Ballkanit.

“Marrëdhëniet e shteteve ekzistojnë tashmë dhe ndaj nuk është rrugë e lehtë bashkëpunimi rajonal. Sigurisht që nuk është përpjekje e lehtë. Bashkëpunimi rajonal shton të mirat, qytetarët përfitojnë në fund fare.

Një rajon- një treg përfshin 6 shtete. Situata bëhet disi e vështirë, për shkak të marrëdhënieve të shteteve, prsh Maqedonia e Veriut ka probleme me Bullgarinë. Hapja e mundshme e negociatave bën që reformat të mund të ecin më përpara. Nëse ne nuk do të kishim probleme, duke i bërë dëm vetes, do ishim sot si Kroacia”, nënvizoi Bregu.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: