TIRANË

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj thotë se procesin e minishengenit ose shengenit Ballkanik është mbështetur nga vetë BE. I ftuar në “Real Story” në News24, Cakaj tha se krijimi i lirive ekonomike ka qenë hap përafrimi me BE-në.

“Po të ishte kështu vetë BE nuk do ta kishte mbështetur këtë proces. Përfaqësues të BE-së, përfaqësuesi special i SHBA për Ballkanin Perëndimor z. Palmer e kanë mbështetur procesin e instalimit të lirive themelore. Krijimi i lirive ekonomike ka qenë hap përafrimi me BE-në. Nuk mund të bëhesh pjesë e tregut të BE-së brenda natës”, deklaroi Cakaj.

I pyetur për zhvillimet në Kosovë dhe mocionin e mosbesimit kundër qeverisë së Kurtit, Cakaj tha se nuk do të komentojë, duke shtuar se në Shqipëri e shohin si të Kosovës dhe në Kosovë si të Shqipërisë.

“Unë do të kursehem qëllimisht meqenëse nuk dua të keqkuptohem në këtë rrethanë. Në Kosovë më shohin si të Shqipërisë dhe në Shqipëri si të Kosovës. Por unë jam shqiptar dhe duke i shërbyer shtetit të Shqipërisë mbetet interes i veçantë për Kosovën”, u shpreh Cakaj.

Ai foli dhe për shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë për shkak të mbylljes së aeroporteve dhe shteteve nga koronavirusi.

“Është një situatë e palakmueshme. Ne jemi në një situatë të jashtëzakonshme, pothuajse në gjendje lufte. Pavarësisht kësaj, diplomacia shqiptare, konsullatat tona nuk kanë qëndruar indiferente. Kemi kryer një varg shërbimesh për shqiptarët jashtë vendit. Ambasadat tona kanë qenë në gatishmëri maksimale për të komunikuar me shtetasit shqiptarë për t’i ndihmuar për kthimin. Po vazhdojnë të qëndrojnë pranë shtetasve shqiptarë për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre. Fakti që ka shqiptarë jashtë vendit nuk duhet të interpretohet si indiferencë e shtetit.

Kjo është një çështje për të cilën jemi duke ndjekur të gjitha praktikat ndërkombëtare. Shqetësimet e tyre janë të ndryshme. Një shqetësim është për shtetasit që janë jashtë dhe iu ka kaluar afati. Ne kemi komunikuar intensivisht me shtetet përkatëse. Kam listën e shteteve nga Italia deri në SHBA. Do ketë mirëkuptim që për kalimin e afatit 90 ditor nuk do ketë penalizime por nuk do të thotë se nuk do të ketë ndjekje të procedurave përkatëse për sinjalizimin. Në ambasada do të pajisen me të gjithë informacionin. Duhet të lidhen me konsullatat dhe ambasadat”, deklaroi Cakaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb