Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shpërthyer me tone të ashpra ndaj liderëve të Kosovës, të cilët refuzuan të marrin pjesë në Samitin e tretë të Minishengenit Ballkanik, që po mbahet në Tiranë. N

ë krah të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, atij të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, dhe kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se “asnjëherë, në asnjë rast, historia nuk tregon se vetëpërjashtimi, vetëizolimi, mbyllja dhe refuzimi të kenë sjellë ndonjë të mirë apo të kenë mbjellë ndonjë pemë me fruta të dobishme për gjeneratat e tjera”.

Më tej, ai deklaroi prerë se kjo nismë nuk do të ndalet, duke shtuar se plagët e vjetra nuk kurohen me helm dhe acid, por me ilaçe.

“Të bashkojmë forcat për të përshpejtuar procesin e integrimit dhe për të krijuar standardet që i përgjigjen BE, liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.

Plagët e të shkuarës nuk kurohen me helm dhe acid, por me ilaçe dhe ilaçet nuk jemi të ftuar që t’i shpikim, mjafton të shohim si kanë funksionuar në realitete të ngjashme dhe se si dialogu, diskutimi i hapur, dakorëdësia për të punuar së bashku për atë që biem dakord, i kanë çuar popujt dhe vendet përpara dhe iu kanë krijuar gjeneratave të tjera kushte shumë më të mira. Nisma nuk do të ndalohet dhe do të vazhdojë me bindjen se i kemi të gjitha forcat për të zbatuar marrëveshje që janë bërë më parë.

I kemi të gjitha forcat për ta kthyer realitetin e njerëzve në realitetin e përditshëm të qytetarëve. Asnjëherë në asnjë rast historia nuk tregon se vetëpërjashtimi, vetëizolimi, mbyllja dhe refuzimi të kenë sjellë ndonjë të mirë apo të kenë mbjellë ndonjë pemë me fruta të dobishme për gjeneratat e tjera”, deklaroi Rama.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb