Këto 4 ditë Shqipëria është përballur me një dukuri të rrezikshme natyrore, ku tërmeti i 26 nëntorit mori 49 jetë njerëzish si dhe la pas mbi 700 të plagosur e qindra banesa të kthyer në gërmadha. Pavarësisht ankthit dhe panikut, ata që rrezikuan për të shpëtuar jetë njerëzish ishin padyshim forca të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit.

Për gati 90 orë Forcat Speciale RENEA, FNSH e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Policia e Durrësit dhe e Krujës ‘zbarkuan’ në terren, duke rrezikuar edhe jetën e tyre në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e Durrësit e Thumanës.

“Për afro 90 orë, Forcat Speciale RENEA, FNSH e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Policia e Durrësit dhe e Krujës u angazhuan me përkushtim duke rrezikuar edhe jetën e tyre në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e Durrësit e Thumanës, Krujë, për të shpëtuar jetë njerëzore dhe për të nxjerrë nga rrënojat ata që fatkeqësisht kishin humbur jetën”, thuhet në postimin e Policisë së Shtetit në ‘Facebook’, ku mes të tjerash është publikuar edhe një video nga momente të ndryshëm ku heronjtë ndërhyjnë për shpëtimin e jetëve të njerëzve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb