TIRANË

Ish-deputeti socialist Ervin Bushati që tashmë ka marrë një detyrë të rëndësishme për të drejtuar Postën Shqiptare ka qenë i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24. Ai foli për pozicionin e ri duke e cilësuar një privilegj dhe përgjegjësi. Nga ana tjetër, Bushati tha se e sheh si një sfidë drejtimin e kompanisë së parë dhe më të vjetër shqiptare.

Ai rrëfeu më tej dhe si i erdhi propozimi për të drejtuar këtë institucion si dhe vizionin e tij për një shërbim që zhvillohet me shoqërinë.

E prisnit një pozicion të tillë, në krye të Postës Shqiptare? Keni vetëm dy ditë që jeni prezantuar?
Ervin Bushati: Është një privilegj edhe përgjegjësi. Posta është e vjetër sa shteti në shërbim ndaj publikut. Pra, mund të thuash që është kompania e parë, më e vjetër shqiptare, bën 110 vjeç së shpejti. Është shumë interesante, është sfiduese, kapilare, shumë e madhe dhe patjetër që sot ka një kuptim tërësisht të ri. Pra, është një rrjetë fibrash ku përfshihet ekonomia, logjistika, transporti, bota virtuale, dixhitale dhe patjetër që e kemi parë që të marrë dhe dimensione të reja. Është një nga ato shërbime publike që edhe ndaj publikut në kohë të vështira, në kohë krize siç ishte tërmeti, pandemia është një nga ato struktura në shërbim të publikut që e mban shoqërinë bashkë. Pra, nuk do kishte një funksionim normal të shoqërisë në qoftë se nuk do paguheshin faturat, nuk do paguheshin pensionet, nuk do merreshin ndihmat sociale, nuk do komunikohej mes shtetit. Pra, është me të vërtetë një sfidë e madhe dhe e shikoj si një ndryshim edhe energjish edhe pozicioni dhe e kam me shumë përgjegjësi.

Kur e mësuat, kur iu është propozuar dhe kush ua komunikoi vendimin për të qenë në krye të Postës Shqiptare?
Ka qenë një bashkëbisedim, ka të bëjë me qeverisjen patjetër, kemi folur, kemi diskutuar dhe e kam pranuar me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi. Ka qenë një komunikim pas zgjedhjeve, edhe me kryeministrin dhe me instanca të tjera të qeverisjes, me ministrin me zëvendës kryeministrin. Mendoj që do të ketë një impuls të ri energjish që është në të mirë të publikut dhe të institucionit.

Zoti Bushati a ndiheni i shpërblyer me këtë pozicion, kujtoj që i treti në listën e kandidatëve për deputetë në renditje, por që siç shkoi edhe situata, u thye herësi nga zoti Xhafaj dhe ju mbetët jashtë parlamentit? E para sa ju vjen keq për këtë dhe a ndiheni ju i shpërblyer në kuadër të të gjithë punës që bëhet në parti?
Patjetër, ka qenë një nder për mua që të isha nga vendet në kryesimin e PS-së në Tiranë, si kapiteni moral i socialistëve të Tiranës, patjetër që ndonjëherë në fushë edhe duhet të marrësh ndonjë goditje për ekipin, ishte  një fitore e madhe. Në morëm 74 mandate si PS, në Partinë Socialiste të Tiranës morëm mbi 19 mijë vota më shumë se sa zgjedhjet e kaluara. Pa Tiranën nuk do fitonte Shqipëria. Pa kryeqytetin nuk mund të ketë fitore dhe ne kemi marrë si PS më shumë vota se në 2013, më shumë se në 2017, ka ardhur në rritje dhe është mandati i tretë. Ka qenë një përgjegjësi e madhe, një sfidë e madhe.

E kam pranuar me postin edhe përgjegjësinë, do duhej që të bëja fushatë për PS-në, duke qenë se isha dhe në Tiranë dhe më shumë në sy të publikut. Kështu që nuk e shikoj fare si penalizim, është një fazë rritjeje.

Duke u fokusuar edhe pak tek Posta, megjithëse nuk ka nisur puna tamam, por një ide rreth vizionit tuaj se çfarë do t’i sillni ndryshe këtij institucioni, mjaft i rëndësishëm që në fakt e tregoi rëndësinë më shumë se kurrë edhe në kohën e pandemisë?
Mendoj që duke qenë të besueshëm, duke qenë të besueshëm, duke qenë kudo, duke qenë të sigurt, në mënyrë kapilare kudo në Shqipëri është një shërbim i madh që bëhet ndaj shoqërisë. Në radhë të parë një shërbim, por patjetër është edhe një produkt apo një ofertë ekonomike në fund të ditës, duke ditur për të kombinuar këto. Pra, funksioni i shërbimit publik që i duhet ofruar të gjithëve. Dhe mënyra se si mund të jetë më afër, më e shpejtë, më moderne dhe me më shumë produkte, pra të dyja këto dimensione të ndryshme e bëjnë sfiduese dhe mendoj që ka shumë për të bërë në një vizion. Nuk është thjesht slogan Shqipëria ’20-’30, pra ne po shohim që Shqipëria dhe shoqëria po modernizohet, po bëhet më dixhitale, shërbimet po ofrohen më shumë online. Ka shumë oferta në treg, duhet që ky shërbim të rritet bashkë me shoqërinë. Ne e pamë që në periudha krizash ajo që është e pashmangshme bëhet e menjëhershme. Pra, teknologjia nuk ndalohet, avancon dhe këto janë në të mirë të tregut patjetër dhe të familjeve shqiptare. Kështu që, vizioni drejt një Shqipëri ndryshe dhe një poste ndryshe që i përgjigjet shoqërisë shqiptare si në 2030 do jetë objekti im kryesor.

Diçka që ka të bëjë direkt me qytetarët për t’u përmirësuar?
Ka shumë. Posta ka mbi 100 shërbime që ofron. Është kudo, ka mbi 500 zyra në të gjithë rrethet, në shumë zona dhe të largëta të Shqipërisë. E mban bashkë dhe shtetin, pra ka një funksion publik. Patjetër që ka shumë për të përmirësuar. Në radhë të parë është klienti, si t’i jemi sa më pranë, sa më mirë. Të vazhdojmë misionin tonë, por të sillemi sa më mirë, me më shumë ofertë, të jemi më të sigurt, më teknologjikë, ka shumë që mund të ndryshojnë dhe të përmirësohen dhe besoj se do ia dalim patjetër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb