Ish presidenti i Republikës Bujar Nishani me anë të një statusi në “Facebook” ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke thënë se në krye të vendit është një gangster ordiner.

Nishani shprehet se administrimi i situatës së koronavirusit nga ana e qeverisë ka qenë një dështim total, ndërsa ka shtuar se kjo qeverisje vijon të vjedhë shqiptarët me anë të PPP-vee të famshme tashmë.

Postimi i ish presidentit Bujar Nishani:

Shqipëria po qeveriset nga një sekt anarkistësh që përpiqen ta kthejnë pushtetin e tyre në një rregjim imponues dhe në krye të kësaj qeverisje nga një gangsterr ordiner !

Mjekët profesionistë dhe me dinjitet të vendit po paraqesin tashmë fakte dhe prova mjekësore se koronavirusi ka qenë prezent në Shqipëri që në muajin janar 2020.

Kjo është krejt logjike duke patur parasysh faktorët e qarkullimit dhe përhapjes së këtij virusi si dhe simptomat e shfaqjes së tij.

Shqipëria ka qenë destinacioni i përditëshëm i një fluksi të madh hyrje-dalje me veriun e Italisë dhe fakti që muajt janar, shkurt janë piku i gripit sezonal i ngjashëm simptomatikisht me virusin Covid 19, bindin shumë qytetarë sot për arsyet e simpomave të forta gripale që kanë kaluar në atë periudhë.

Ajo që kishte detyrën e monitorimit, analizimit dhe vlerësimit të kësaj situate ishte qeveria e këtij vendi.

Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e një qeverie rrumpallë jo vetëm që dështoi totalisht në identifikimin e kësaj situate por me mosveprimin e saj në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të popullit ka kryer një krim të rëndë.

Për të fshehur këtë dështim e këtë krim gangsterri me pushtet absolut e futi vendin dhe popullin në një situatë psikologjike terrori dhe jetesën familjare, bisnesin dhe ekonominë e vendit në një rregjim ekstrem dhe kolapsi.

Nga njëra anë mbulonte paaftësinë dhe krimin që ju kishte shkaktuar shqiptarëve e nga ana tjetër zaptoi gjithë hapsirën publike për politikë personale e moniste.

Nga njëra anë shtypte e denigronte jetën personale të çdo qytetari e nga ana tjetër vidhte e grabiste papushim pasuritë e vendit dhe xhepat e shqiptarëve.

Deklaratat makabre të kreut të qeverisë dhe protagonizmi i disa mjekëve militantë asgjesuan totalisht funksionimin normal të mekanizmave të shtetit dhe mendimin racional e shkencor të mjekëve specialistë të vërtetë.

Aktet dhe urdhëresat antikushtetuese e anti ligjore dhunuan prej muajsh jo thjesht liritë dhe të drejtat e qytetarëve, jo vetëm që tentuan kthimin në kavje eksperimentale të shqiptarëve por ishin mbulesa e përkryer e hajdutërisë masive të asaj pak pasurie të këtij vendi të vogël e njerëzve të varfër.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb