TIRANË – Në periudhën kur tensionet Tiranë-Athinë kanë arritur kulmin për shkak të debateve për Himarën dhe qëndrimeve të prera të kryeministrit për çështjen çame dhe ligjin e luftës, Edi Rama ka vendosur të “provokojë” sërish Greqinë. Ai zgjodhi pjesëmarrjen
në ceremoninë e përurimit të uniformave të reja në Policinë e Shtetit për t’i shprehur një mirënjohje dhe një falenderim publik Turqisë dhe Presidentit të saj, Rexhep Taip Erdogan.

“Dua që qysh në fillim t’i shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim qeverisë së Turqisë dhe personalisht presidentit të Turqisë që na mbështetën në këtë kërkesë dhe bënë të mundur që sot Policia jonë e Shtetit të jetë njësoj si të gjitha policitë e zhvilluara ku pjesa e uniformave operacionale është tanimë në dispozicion të gjithë atyre që në punën e përditshme të terrenit e kanë të domosdoshme këtë uniformë”, – tha Rama.

Kryeministri shqiptar ditët e fundit është akuzuar nga Greqia por jo vetëm, se po ndikohet nga Turqia për qëndrimet e tij kritike ndaj Athinës zyrtare.

Nga foltorja e Kuvendit ishte kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ai që akuzoi Ramën si aventurier dhe se po përdor një retorikë nacionaliste për të fshehur grabitjen e pronave në Himarë, që kanë për qëllim sipas tij të mposhtin, komunitetin grek atje. Ai shtoi se kryeministri ka zbuluar armikun e radhës, ndërsa e akuzoi që këtë porosi e ka nga “baba” (Erdogani).

“Ne kemi një aventurier në krye të qeverisë, ky kryeministër po ndryshon vlerat është gat , po presim të na zbulojë armikun e rij, pas kthimit të ligjit të mjeteve, pas kanabizimit masiv, vetëm tek lulishtja e kryeministrisë nuk ka kanabis, se brenda nuk jemi të sigurt se nuk ka. Po zbaton kërkesat e ‘babës’ në institucione arsimore, po zbulon armikun e ri, është Greqia që pret 1 milionë bashkatdhetarët tanë që punojnë e jetojnë atje”, – deklaroi Dule.

Ndaj dhe përtej sinqeritetit të shefit të qeverisë për falenderuar e adresuar në publike mirënjohjen ndaj Ankarasë dhe Erdoganit për ndihmën që kanë dhënë ndaj Policisë shqiptare, duket se Rama po tenton sërish, pse jo dhe qëllimisht, të “provokojë” Athinën për ta tërhequr atë në një “luftë nervash” që është intesifikuar së tepërmi mes dy vendeve. Dhe mjafton të kujtojmë se falë këtij tensionimi marrëdhëniesh, Greqia riktheu sërish “fshesën” në kufi, duke iu refuzuar kalimin mbi 100 shqiptarëve, pasaportat e të cilave i damoksi me kryqe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb