Banorët e fshatit Lumas edhe sot kanë dalë në protestë ,për të ruajtur të paprekur burimin e ujit të Sinecit. Që prej orëve të para të mëngjesit, ata kanë dalë në rrugën e fshatit dhe kanë bllokuar kalimin e mjeteve të firmës kontraktuese për fillimin e punimeve të ujësjellësit. Banorët janë ulur të gjithë në rrugë, ku edhe ndodhen aktualisht dhe nuk pranojnë t’i ndalin protestat derisa firma të ndërpresë punimet në këtë fshat.

Në fshatin Lumas kanë mbërritur edhe forca të shumta policie, të cilat po iu kërkojnë banorëve të largohen dhe firma të fillojë punën. Banorët kanë deklaruar se ata nuk do t’i ndalin për asnjë ditë protesta dhe se qëndresa e tyre për të ruajtur ujin e burimit të Sinecit nuk do të ndalet. Me pretendimin se ky projekt është një projekt abuziv, jo për ujësjellës por për favorizimin e dikujt që do ta shfrytëzojë burimin e Sinecit për tregtimin e ujit me bidona, banorët deklarojnë se nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve të firmës në zonën e Lumasit.

Për shkak të temperaturave të larta dhe diellit disa prej banorëve kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe në zonë kanë mbërritur edhe mjekët. Ata kanë kryer edhe ekzaminimet e 3 banorëve që vuajnë nga zemra e tensioni dhe gjendja e tyre është e qëndrueshme.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: