Sa herë bie shi, disa lagje në Durrës janë nën ujë. Një shembull konkret është edhe zona e Plazhit, aty ku ishte e pranishme me kamerën e News 24, gazetarja Klodjana Haxhiaj.

Ndonëse disa biznese ishin mbyllur për shkak të përmbytjeve, më shqetësuese situata paraqitej për banorët e një pallati shumëkatësh, që përveç përmbytjeve, nuk kishin as energji elektrike dhe as ujë të pijshëm.

Njëri prej banorëve me dorë në zemër apeloi për zgjidhjen e problemit, duke thënë se nuk ishte me asnjë parti politike.

“Unë jam një banor i lagjes 13 në zonën e Plazhit. Pardje dola nga spitali se jam i sëmurë me zemër. S’dal dot për të marrë ilaçet, fëmijën e kemi në kopësht nuk e çojmë dot, pompat e ujit janë mbushur me ujë, është përmbytur edhe kabina. Taksat, dritat e ujin i paguajmë të gjitha. Po afrojnë zgjedhjet prapë do na vijnë për vota këta, zgjedhjet ikin e vijnë po ne si qytetarë po ikëm nuk kthehemi më.

E kam blerë me mijëra euro këtë shtëpi. Nuk jam me asnjë lloj partie, jam me shpirtin tim, me zemrën time. Kërkoj rrugëzgjidhje nga qeveria. Të më japin zgjidhje, jam ankuar edhe herë tjetër. Unë them po të bësh një kanal dhe tubacion këtu rregullohet puna”,- tha ai.

Mësohet se në qytetin e Durrësit është investuar për rrjetin e kolektorëve por për momentin është jashtë funksionit.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb