Në mesnatë Britania e Madhe largohet zyrtarisht nga Bashkimi Europian. Pas 47 vjetësh pjesë e këtij unioni, Brexit hyn në fuqi duke e shkëputuar përfundimisht këtë vend nga familja europiane. Edhe pas largimit, pjesa më e madhe e ligjeve të BE-se do të vazhdojnë të jenë në fuqi duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të njerëzve deri në fund të dhjetorit, kohë në të cilën Britania e Madhe do të duhet të ketë arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian.

Brexit ishte parashikuar të ndodhte më 29 mars të vitit të kaluar, por ishte vonuar në mënyrë të përsëritur kur deputetet britanike kundërshtuan marrëveshjet e arritura mes BE-së dhe qeverise së kaluar në Londër. Kreu aktual i ekzekutivit Boris Johnson arriti ta realizojë Brexit-in pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve politike që zgjatën më shumë se tre vjet.

Kryeministri Johnson do të mbajë një mbledhje kabineti në Sunderland, qyteti i cili ishte i pari që mbeshteti Brexit në referendumin e vitit 2016. Johsnon i cili drejtoi fushatën e daljes së vendit nga unioni do të përpiqet përmes një fjalimi me tonë optimiste pa shenja triumfi të theksojë nevojen që të gjitha palët të bashkohen duke lënë mënjanë ndasitë.

Në mesazhin e tij të regjistruar në Downing Street Johnson deklaron se “Ky është agimi i një epoke të re në të cilën ne nuk e pranojmë më që shanset e jetës tuaj – shanset për jetën e familjes suaj – duhet të varen nga fakti se në cilën pjesë të vendit jeni lindur dhe rritur”. E ndërsa në Londër do të zhvillohen një sërë ceremonish, në Bruksel flamuri britanik do të largohet nga institucionet e BE-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: