30 vjet më parë, më 22 tetor 1988 u nënshkrua marrëveshja qeveritare midis Shqipërisë dhe Gjermanisë Federale mbi Bashkëpunimin Ekonomik dhe Teknik. Ka disa arsye që e bëjnë atë një jubile krejt të veçantë; në radhë të parë, sepse ndonëse ende nën diktaturë, ajo ishte marrëveshja e parë ekonomike me një vend perëndimor e aq më tepër si Gjermania Federale. Po, kishim pasur bashkëpunim dhe më parë, por ai ishte thjesht tregtar, pa investime dhe aspekte të tjera si kreditë/ndihmat të një bashkëpunimi të vërtetë ekonomik.

Gjithashtu, nënshkrimi i asaj marrëveshjeje ishte me jehonë pas qëndrimeve të ngurta dhe refraktare të regjimit të asaj kohe. Me gjithë vështirësitë në rritje, rënien e nivelit të jetesës, të ekonomisë e të eksporteve, mungesave të mëdha në treg dhe për mallrat më jetike, vazhdonte avazi i vjetër se « bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim »

Edhe pse me mungesa dhe jo në formatin e saj të plotë, sepse për shkak të Kushtetutës socialiste, bashkëpunimi industrial, kreditë dhe format e tjera të financimit ndërkombëtar ishin ende tradhti e lartë, ajo shërbeu si model dhe nxitje për marrëveshje me vende të tjera perëndimore.

Në të tilla përvjetorë zakonisht përmenden shifra, bilance investimesh, volume tregtare, etj. Natyrisht statistikat kanë rëndësinë e tyre, si mishërimi dhe konkretizimi i këtyre marrëveshjeve historike dhe dinamikës dypalëshe. Për më tepër se Gjermania dallohet jo thjesht si donatori më i madh për vendin tonë në planin dy dhe shumëpalësh, por mbi të gjitha nga katalogu i larmishëm dhe cilësia e ndihmave. Veç kësaj, rezultatet e bashkëpunimit me Gjermaninë janë të dukshme, të kapshme dhe të prekshme për çdo njeri dhe vizitorët e huaj në vendin tonë. Sepse programet/projektet e shumta gjermane janë orientuar dhe përqendruar në fushat jetike të zhvillimit afat-gjatë ekonomik dhe social: turizmi, mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit, me theks të veçantë i liqeneve të Shkodrës dhe Ohrit, ndërtimi i linjave të tensionit të lartë, i ujësjellësve në shumë qarqe, etj.

Por, krahas volumeve dhe shifrave, ky jubile përbën rastin më të mirë që të kujtojmë me nderim dhe respekt ata personalitete dhe ekspertë që kontribuuan për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, për jetësimin e projekteve të bashkëpunimit deri në ditët e sotme, duke sfiduar pengesa dhe vështirësi të mëdha politike, ekonomike dhe sidomos sistemit politik në rastin tonë.

Duke qenë se gjatë gjithë viteve 80 isha ekspert në tregtisë së jashtme, me shërbime pune në Gjermani dhe në fillim të viteve 2000 diplomat në ambasadën tonë në Berlin, shumë prej tyre dhe proceset që drejtuan/realizuan në vijim kam pasur shumë raste t’i njoh dhe shoqëroj nga afër.

Padyshim që « pionieri » i këtij bashkëpunimi dhe miqësie me Gjermaninë ishte legjendari bavarez Franz Joseph Strauss; i pari politikan perëndimor i këtij kalibri që erdhi në Shqipëri më 1984. Ndonëse për vizitë private, Strauss u dashurua shumë shpejt me popullin dhe vendin tonë; erdhi dhe dy herë të tjera, në përpjekje për ta afruar Shqipërinë me Bavarinë, këtë «urë» të madhe drejt Ballkanit, Gjermaninë dhe Evropën. Vdekja e tij e papritur 30 vite më parë, vetëm tre javë përpara nënshkrimit të Marrëveshjes, për të cilën ai kontribuoi më shumë se kushdo tjetër nuk e lejoi që «shansin e humbur» të atyre tri vizitave historike ta kthente në një «mision të mundur», siç u bë më vonë.

Drejtuesit e delegacioneve gjermane në bisedimet për këtë marrëveshje ishin zoti Erich Riedl, Sekretari Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave në periudhën 1987 – 1993, deputet veteran i Bundestagut dhe dashamirës i vendit tonë që u nda nga jeta këtë shtator. Po ashtu, sekretari i Shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ndërkombëtar Sigfried Lengl, bashkëpunëtor i ngushtë i Strauss. Këta dy emra ishin ndër më të lakuarit gjatë atyre viteve falë vizitave në Tiranë, Bon dhe Mynih.

Disa vite më pas, punën e tyre e vazhdoi Rezzo Sclauch, personalitet i njohur i të Gjelbërve gjermanë, deputet i Bundestagut dhe në vitet 1998 – 2005, Sekretar Federal Shteti për Ekonominë. Falë dhe bashkëjetesës me një bashkëatdhetare të njohur, ai u «shqiptarizuar» shumë shpejt. Të gjithë në atë superministri e vlerësonin këtë fakt dhe sa herë shkonim për punë aty, dyert hapeshin menjëherë me simpati. Prej disa vitesh, është Konsulli ynë i Nderit në Stutgart.

Këta drejtues patën dhe bashkëpunëtorë kompetentë e dashamirës të vendit tonë që vijojnë me përkushtim deri në ditët e sotme. Ndër më tipikët është drejtori për vendet e Ballkanit dhe Shqipërinë qysh nga viti 2001 e në vijim në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Financave, zoti Helge Tolksdorf.

Nga pala jonë këtë proces dhe bisedimet e gjata i kryesoi qysh nga fillimi me kompetencë i ndjeri Farudin Hoxha, ish- Ministër Shteti për Bashkëpunimin ndërkombëtar, pasi kishte lënë postin e ministrit të Ndërtimit. Qytetar dhe personalitet rrezatues dhe reformator, me integritet moral absolut, njeri që të nderonte kudo me kulturën dhe xhentilesën e tij, projektuesi i talentuar dhe i palodhur i gjigandëve tanë hidroenergjetike. Kush i ka ndjekur tratativat dhe bisedimet gjatë atyre viteve të vështira, me gjithë hapjen «me frëngji» e ka parë se sa mund, zell, pasion, guxim, kurajë dhe vendosmëri politike ka shfaqur profesori i nderuar, padyshim ndër promotorët e miqësisë dhe bashkëpunimit shqiptaro – gjerman.

Ai kishte dhe një staf bashkëpunëtorësh specialistë të përgatitur dhe reformatorë, që e njihnin mirë funksionimin e ekonomisë perëndimore. Shumica e tyre e lanë vendin si pasojë e persekutimit të ri politik dhe punojnë në institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare. Ndenji këtu mes shumë peripecish Dr. Ylli Çabiri, kryeordinator i asaj ministrie, i specializuar në Francë. Në vitin 1991 u përfshi në kabinetin qeveritar, për ta larguar pas rënies së tij në dhjetor 1992. Ka mbi 20 vjet që ka punon në projekte të shumta ndërkombëtare, të BE-së dhe në Fondi Shqiptaro-Amerikan i Sipërmarrjes. Rol të dukshëm luajti Ministria e Jashtme dhe ish-zëvendësministri, i ndjeri Sokrat Plaka, i cili mbulonte fushën e ekonomisë dhe tregtisë së jashtme.

Padyshim që ambasada gjermane në Tiranë dhe sidomos ambasada jonë e sapohapur në Bon gjatë asaj periudhe kanë përballuar një peshë të madhe në të gjitha aspektet. Kjo dhe falë ambasadorit të shquar të karrierës të asaj periudhe dhe deri ditët e sotme, Shpëtim Çaushi; ai ishte mjaft aktiv në atë periudhë tejet të ngjeshur mesazhesh, kontaktesh dhe pengesash se bashku me stafin e tij dhe këshilltarin tregtar, Pajtim Ajazi, ndër kuadrot më të aftë të asaj periudhë dhe ish zv.ministër i Tregtisë së Jashtme.

E para që ka luajtur rolin e vet të pazëvendësueshëm qysh në ditën e parë të këtij procesi 30-vjeçar e në vazhdim është Shoqata e Bashkëpunimit Teknik Ndërkombëtar Gjerman GIZ ose GTZ e dikurshme. Nuk ka pasur dhe nuk ka projekt madhor që të mos ketë kaluar në të gjitha etapat në duart dhe kompetencën e saj për të cilën është folur e do të flitet aq shumë. Po ashtu, Dhoma e Përbashkët e Tregtisë shqiptaro-gjermane ( DIHA), e krijuar më 2007, shoqata afariste, etj.

Në këtë katalog të larmishëm ka vendin e saj dhe Shoqata e Bashkëpunimit Ekonomik Gjermano – Shqiptar ( DAW)

Gjatë 24 viteve DAW është afirmuar si model bashkëpunimi, që i kalon caqet ekonomike apo afariste. Gjysma e kryesisë së saj përbëhet nga shtetas shqiptarë me banim në Gjermani që kanë mbi 15 vite që janë aktivë si Majlinda Çaçi që është dhe zv.presidente, Anette Wolter, Kolë Gjoka, Artan Pojani e të tjerë. Një ndër të parët është shqiptari nga Tetova, afaristi Amit Ismailji, model i imazhit të shqiptarëve dhe një prej nxitësve të kësaj miqësie dhe bashkëpunimi.

Nga nëntori 2005, president i saj është një profesionist veteran i komunitetit të madh afarist gjerman, Prof. Dr. Hans – Jürgen Műller; bashkë me institucionet e tjera përkatëse, ai ka kontribuar mjaft në veprimtaritë zyrtare dhe publike, e sidomos në takimet dhe forumet e biznesit të organizuara gjatë tri viteve të fundit, me rastin e vizitave zyrtare të kryeministrit, të ministrave e zyrtarëve të tjerë të lartë qeveritarë në Berlin dhe gjetkë. Me propozim të ambasadës sonë në Berlin, në vitin 2015, Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen për shërbime të shquara civile. Në krah të tij janë dy zv.presidentët, Thomas Wittstadt dhe Helmud Hauser, anëtari i kryesisë dhe bashkëthemelues Peter Spary e të tjerë.

Gjithsesi, “motori” i kësaj shoqate, drejtuesi i saj i vërtetë operativ ka qenë dhe mbetet Michael Albert. Krahas detyrës së tij si administrator kompetent në Konfederatën e Tregtisë Gjermane, Michaeli është ndër personat më të interesuar e gjithnjë në kërkim të nxitjes së këtij bashkëpunimi.

Natyrisht në këtë fushë kanë ndikimin e tyre të madh drejtuesit e lartë dhe ekspertët e firmave dhe kompanive gjermane të angazhuara në vendin tonë dhe gjigande si Siemens apo Hochtief që ndërtoi Aeroportin e Rinasit. Më tej, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, edhe pse mundësitë kanë qenë më të shumta.

Në këtë 30 vjetor, sfidat dhe kërkesat janë shumë më të mëdha. Ndaj, përvoja, vullneti politik i treguar nga të dyja vendet, përshpejtimi i integrimit tonë evropian etj., me siguri që janë udhërrëfyesi më i mirë për pasurimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike, tregtare dhe të investimeve ndërmjet dy vendeve tona aleate.

Së fundi, ‘qershiza mbi tortën’ në prag të këtij jubileu festiv ishte njoftimi i ambasadores gjermane në Tiranë, Suzanne Schütz se në nëntor Gjermania do lançojë një program tjetër të madh ndihmash dhe bashkëpunimi për vendin tonë. Ndaj me plot gojën dhe me zë të lartë shprehim mirënjohjen tonë “Danke Deutschland”. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb