Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, i ftuar në studion e emisionit “FrontLine”, në “News24”, foli mbi përfshirjen e tij në listat e PD dhe renditjen në vendin e nëntë në listën e qarkut të Tiranës. Idrizi tha se nuk i ka zënë vendin e askujt, pasi shtoi se ndodhet në vendin e tij. Synimi i PDIU, sipas Idrizit, së bashku me PD, si aleatja e tyre janë që të sigurojnë të paktën 5 mandate deputetësh.

Gjithashtu Idrizi u pyet nga gazetarja Marsela Karapanço në lidhje me marrëdhëniet e tij me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili mbështetet nga minoriteti grek. Ai tha se nuk ka asnjë problem me zotin Dule, duke shtuar se përbërjen e listave e ka hartuar vetë Lulzim Basha dhe ai nuk ka pasur kompetenca në këtë drejtim.

“Jam në listën e opozitës së bashkuar, me siglën PDIU. Unë i kam thënë Bashës, merr votat e PDIU ndër vite, fute në matricën e PD, atë vend që do të zë, atë vend do të futem. Pra ne jemi në vendin tonë, as na jep as na merr njeri, përkundrazi kontribuojmë që Shqiptarët të kenë një mazhorancë të mirëfilltë, të mos jemi si Koreja e Veriut ku pushteti është në dorën e një personi dhe është tepër e varfër, por të bëhemi si Koreja e Jugut. Ne kemi forcë elektorale deri në 70 mijë vota, vendi që kemi kërkuar ne janë vende që PDIU i ka pasur gjithmonë, në 2009-2017 ka qenë gjithmonë mandati i 5 i PDIU, jemi në Vlorë, Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Ne kemi pritshmëri që bashkë me opozitën e bashkuar të kontribuojmë dhe sjellim 4-5 mandate, tre në zonë të sigurt, dy të tjerat në zonë më të ftohtë. Të gjitha janë në zonë të nxehtë, për ta nxjerrë Ramën në zonë të ftohtë, pas 20 e ca vitesh në pushtet është mirë për të dhe Zahon të shkojë në shtëpi. Unë atyre fjalëve që kam thënë s’i heq asnjë presje. Sa herë që dikush mendon të etiketojë, të mos ketë respekt për Çështjen e Çamërisë. Në fakt, meqë jemi në momentin e kurioziteteve. Unë s’doja që Dule të jetë në Vlorë. Nëse Dule është poshtë meje është prishja e Kodit Zgjedhor nga Rama. Unë për vete e kam parë listën dhe jam befasuar për këtë gjë, vetëm kur e kam parë nga mediat. Unë nuk mundem dot me peshën që kam të kondecionoj zotin Basha. Unë nuk iki nga vendi im, ka ikur dikush tjetër dikur, vendi që kam është i PDIU. Ne e dimë që kemi një vend përballë nga Greqia që nuk njeh Çamët. Ka zgjerim, vendimi i Parlamentit të Greqisë është fakt sot, diskutimi në gjykatë është për diçka tjetër”, tha Idrizi.

Idrizi shtoi ndër të tjera, se në këto zgjedhje janë bërë të gjithë bashkë, edhe ata që nuk bëheshin në të kaluarën, për të larguar të keqen, që sipas tij është kryeministri Edi Rama.

“Nuk kam pasur asnjë lloj komunikimi. Kemi bërë marrëveshje vetëm me PD. Unë kam negociuar pozicionet e PDIU dhe nuk kondicionoj PD se kë të ketë aleat. Ka pasur dhe një përgjigje timen ku kam thënë që Rama, të zgjidhë shokët e vet e jo të mitë. Marrëveshja jonë ka qenë me PD, unë s’kam ik ndonjëherë, edhe kur kam qenë me PS, nuk jam larguar. Unë jam në Shqipëri, në vendin tim. Nuk kam marrë të gjithë listën për të uruar, sepse po shkojmë në betejë e jo në dasmë. Janë bërë bashkë ata që nuk duhet të bëheshin bashkë, për të hequr të keqen, Ramën. U detyruam të futemi në një listë, për shkak të Kushtetutës. Shqiptarët janë të lirë, kush nuk e do Dulen të mos e votojë. Kush nuk na do ne, të mos na votojë. Unë jam në vendin tim dhe me votat e mia. Nëse ata që qajnë hallin se u bëra mik me grekun, unë s’kam probleme. Ne duhet të kthehemi në tokat tona, që janë të Shqipërisë, tonat, që prej krijimit të njerëzimit. Pra, ata kanë pasur Dulen aty, këta nuk kanë probleme ç’a raporti kemi ne me Greqinë. Juve nuk iu bën përshtypje që Rama nuk e ka në program çështjen çame. Ai nuk flet për ligjin e luftës me Greqinë. Unë po të rendis agjendën greke. Heqja nga librat e teksteve shkollore e termit Çamëri, nuk është dëshirë, por detyrim ndaj qeverisë. Akt dëshire është ajo e Ramës që tha shkova në Greqi dhe hëngra darkë të bukur. E mbani mend betejën që kemi bërë 10 vite më parë. Narta, zona në Vlorë, Himara dhe disa zona në Përmet ishin zona minoritare, këtë e thonin zyrtarët grekë. Ligji i ri për minoritete e nxori Shqipërinë me 9 minoritete. Këto janë akte që do i kushtojnë rëndë Shqipërisë në vazhdim. Janë vrarë masakruar, njerëz për këtë histori dhe sigurisht nuk mund të jetë pjesë e një trajtimi sipas preferencave të Greqisë”, përfundoi Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb