Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar në lidhje me padrejtësinë që po i ndodh ‘Prestige Resort’, për të cilin IKMT ka njoftuar se do e hedhë në erë në orën 15:00.

Blushi përmes një reagimi në ‘Facebook’, thekson se ky është atentat ndaj pronës private dhe ndaj turizmit shqiptar.

REAGIMI I BLUSHIT
Për pak orë pritet që nga Grupi i Strukturuar Kriminal të realizohet akti terrorist shtetëror i hedhjes në erë me tritol i “Prestige Resort” në Golem, që funksionon sipas të gjithë ligjeve në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe për më tepër që është ndërtuar me miratimin nga vetë shembësi i saj Edi Rama në cilësinë e Kryetarit të KRT!
Ky atentat ndaj pronës private si koncept, ndaj turizmit shqiptar dhe mbi të gjitha ndaj medias së lirë ka një autor të vetëm: Edi Rama!
Është edhe tragjik edhe komik fakti që dhënësi i lejes së objektit të jetë njëkohësisht edhe shkatërruesi i saj!
Kjo përbën një përgjegjësi të rëndë penale e cila do të hetohet nga shteti real ligjor!
Nga pikëpamja ligjore rasti në fjalë është i paprecendent madje edhe gjatë kohës së diktaturës.
Janë zhbërë instituti i njoftimit të aktit administrativ (vendimi i shembjes) dhe i ankimit (kërkesa për pezullim në gjykatë) si instrumenta ligjore pa të cilat nuk mund të ketë çështje apo proces ligjor!
Është zhbërë siguria juridike e pronës private si themel i një shoqërie demokratike dhe tregut të lirë!
Është goditur rëndë pavarësia dhe liria e medias!
Shkallmimi i shtetit ligjor qëndron edhe në faktin se IKMT ka vendosur shembjen e objektit disa orë përpara se gjykata të shqyrtojë ligjshmërinë e veprimit të saj duke qenë e njoftuar zyrtarisht për datën dhe orën e gjykimit dhe e ftuar që të marrë pjesë në gjykim!
Kur fadromat e Edi Ramës dhe IKMT godet përpara se gjykata të shprehet për të njëjtën çështje shteti ligjor nuk ekziston më!
Ky akt terrorist nuk do të amnistohet kurrë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb