Këtë verë pusho shqip! Këtë verë të pres në Shqipëri! Këtë verë njih Shqipërinë. Kjo është çfarë po ndajmë me njëri-tjetrin në rrjete sociale. Me “Shqiptarë të mrekullueshëm” e kemi nisur me dëshirë këtë nismë për të treguar ca vende shqip që nuk i dini dhe nuk i njihni.

Jo të gjithë, disa i dinë. Për shembull unë për herë të parë shkova në Peshtan dhe për herë të parë në Çajup. Dhe do t’jua tregoj sot juve të “Shqiptarët e mrekullueshëm” Do t’jua tregoj atyre që më thonë: “Do të doja të mos shkoj në det patjetër, po në mal ku të shkoj?” Po të shkosh në Çajup, e të flesh në Peshtan. Të bësh rrugën nga Peshtani në Çajup.

Madje për t’jua nisur tregimin për zonën, do të filloj me poezinë e një djali zonë, në Malshovë e ka pasur shtëpinë e lindjes. Sefulla Malshova i thonë.

“S’kam çiflig e s’kam pallate

S’kam dyqane me shtatë kate

Po e dua Shqipërinë për një stan në Trebeshinë

Për një shkarpë e për një gur

Për një gardh e për një mur

Për kasolle mbi Selishtë

Për një lopë, një gomar

Për një balo, një manar

Unë e dua Shqipërinë, si shqiptar e bir shqiptar”

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Intervista

Rudina Xhunga- Ky ishte Peshtani, 4 kilometra sa kalon Urën e Dragotit, rrugës për të shkuar në Gjirokastër, futesh në një rrugicë lisash, ku të thonë mirë se vjen në Peshtan. Tani Mira ky Peshtani është i Zagorisë, i Tepelenës i Gjirokastrës? Të kujt jeni Ju?

Mira: Të asnjërit dhe të të treve. Ne jemi midis. Aty ndahet Përmeti me Gjirokastrën, Përmeti me Tepelenën, ne jemi ku bashkohet Zagoria me Vjosën. Të rrethuar me dy lumenj dhe pese kisha. Një gropë natyrale, me male nga të gjitha anët. Vend strategjik i mbrojtur dhe nga era dhe nga të këqijat.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historiveTë njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: Jo vetëm kaq, jo vetëm kisha plot, e lumenj plot por edhe histori shumë. Mira është guida e Peshtanit, kafja e Peshtanit, pikëtakimi i Peshtanit, Mira është bujtina e Peshtanit. Të gjitha i ke. Dhe më e bukura është se Mira vjen nga Tirana në Peshtan. La kryeqytetin se në Peshtan jetohet me mirë.

Mira: Se është më rehat dhe më qetësi.

Rudina Xhunga: Dhe sepse kanë punë, se ndonjëherë në Tiranë mbetesh dhe pa punë. Këtu nuk ngelesh kurrë pa punë. Këtu i hap punë vetes. Bën një dhomë, pas dy, pastaj tre. Pastaj mbjell patate, fasule. Pastaj rregullon këtë oborrin. Të lumshin duart, e kishe qarë këtë oborrin. E bëre ti apo burri?

Mira: Më shumë burri, më pak unë.

Rudina Xhunga: Po burri nuk del të flasë.

Mira: Jo.

Rudina Xhunga: PR e familjes e ka Mira. Po guida, kjo më duket shumë interesante. Këtu vijnë turistë, të huaj dhe shqiptarë.

Mira: Më shumë të huaj. Se ne këtu jemi në fillim të shtegut që kalon nga Zagoria, që varesh për Përmet dhe Gjirokastër. Kalon një shteg malor.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: Dhe ata bëjnë ecje të gjithë.

Mira: Po patjetër, bëjnë ecje.

Rudina Xhunga: Dhe ata vijnë këtu me kamping?

Mira: Këtu është dhe një hotel i vogël në fshatin Limar, për katër ditë e përshkojnë shtegun e malit.

Rudina Xhunga: Sa herë e ke bërë atë shtegun?

Mira: Po unë e kam bërë plot, sa të duash. Vera ka më shumë, se dimri është më i egër këtu tek ne. S’mund të ikësh në mal dhe të flesh në mal në dimër. Është ftohtë.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: E di çfarë më bëri tjetër përshtypje? Që Mira nuk rri dot asnjë sekondë kot. Shoqëron turistët në guida malesh, edhe ec e ec gjen dhe ndonjë send me vlerë. Në fillim i mbante në shtëpi, tani ka bërë muzeun. Nuk kisha parë muze të ngjashëm me muzeun tënd. Si filloi?

Mira: Nuk është tamam muze. Është një koleksion.

Rudina Xhunga: Ai është muze mbi muze. Kishe lexuar ti për luftën italo-greke?

Mira: Shumë pak dija. Nuk është se flitej shumë, po çfarë kisha dëgjuar nga gjyshërit. Dhe pastaj grupe alpinistësh që vijnë nga Italia, që janë të interesuar për të gjetur kujtimet e gjyshërve, të njerëzve të tyre, më kanë dhënë shtysën që përse mos t’i shoqëroj duke njohur dhe vendin, shtigjet dhe malet.

Rudina Xhunga: Dhe fillove të kërkosh pastaj në ato shtigje mbeturina të kohës,. Kujtimet.

Mira: Dhe në fshat kemi gjetur shumë gjëra. Dhe këtu te shtëpia.

Rudina Xhunga: Çfarë ke gjetur këtu?

Mira: Po kam gjetur armë të vjetra.

Rudina Xhunga: Cila qe e para që gjete?

Mira: Kam gjetur një pushkë italiane të vjetër, e kam këtu. Me gjithë bombat. Të groposur në një themel shtëpie. Në oborrin e shtëpisë sime, duke bërë punimet për nivelimin. Bidonët e ujit të ushtarëve. Plot helmeta me shënime.

Rudina Xhunga: Pse kanë edhe shënime?

Mira: Po, plot kemi gjetur edhe me shënime. Viti i lindjes së ushtarëve, edhe Viva Duce.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: Ke gjetur të tjera dedikime?

Mira: Kam pas, por mi kanë marrë.

Rudina Xhunga: Kush t’i ka marrë? Ndonjëri që gjeti njeriun e vet apo jo?

Mira: Po. Ia kemi nisur familjarëve, sepse ishin me adresa të plota.

Rudina Xhunga: Na trego ndonjë histori.

Mira: Kemi gjetur një gavetë të shkruar, dhe ne ia çuam familjes të cilët na falënderuan shumë.

Rudina Xhunga: Kush i kishte humbur familjes?

Mira: Mbase gjyshi, nuk e di. Brezi i tretë mendoj. Në gavetë shkruhej ditëlindja, vendbanimi dhe pastaj një dedikim për të dashurën e vet.

Rudina Xhunga: Shumë e bukur. Domethënë ty të ka qëlluar që t’i kesh gjetur.

Mira: Këtu ka gjëra të vogla pafund. Këto janë pjesë të rripave, të çantave, pistoleta.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: Ku i ke gjetur këto?

Mira: Këto i kam gjetur më shumë nëpër male.

Rudina Xhunga: Po si?

Mira: Po unë e di ku është bërë lufta, dhe kam shkuar midis gurëve midis shkurreve.

Rudina Xhunga: Pastaj fillove të lexosh për historinë besoj?

Mira: Po patjetër. Se duhet t’u flasësh turistëve, filan datë u bë lufta, si u bë sa u vranë, kush fitoi.

Rudina Xhunga: Shiko, më besoni nuk ka shans të bëhet turizmi në Shqipëri, pa kuriozitetet e kësaj kohe. Dhe kjo krahinë, kjo luginë, është thesar. Kështu që uroj që çdo njeri të dijë historinë, dhe ta tregojë në këtë mënyrë siç e ka treguar Mira. Një prej muzeve, sepse unë quaj muzeum këtë, më origjinali, më uniku që kam parë. Dhe e ka bërë vetë të gjithin.

Mira: Po janë gjëra që janë të veçanta. Për shembull këtë gjë prej bakri, e kam gjetur së fundmi, dhe nuk është prishur fare. Shumica janë prishur se kanë qenë hekuri. Ne kemi gjetur edhe mbetje humane, i kemi shënuar ku janë. Këto janë fishekët që janë përdorur nga ushtarët grekë. Ky është një bidon uji i përshkruar nga plumbi.

Rudina Xhunga: Mira, më habite.

Mira: Kjo është helmeta që e ka goditur breshëria e plumbave. Kjo është gota e një ushtari, e shkruar ka disa shkrime.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: Ka ardhur njeri që ka pasur gjyshin në luftë?

Mira: Kanë ardhur shumë. Italianë më shumë por edhe grekë, sepse edhe interneti ka bërë punën e vet.

Rudina Xhunga: Ti e tregon këtë në internet?

Mira: Po.

Rudina Xhunga: Tani ti je burimi ku ata vijnë.

Mira: Unë jam e gjetshme për turistët.

Rudina Xhunga: Po ky teli Mira?

Mira: Ky është teli ndarës i vijës së frontit. Ushtarët deri sipër në majë të malit kishin bërë gardhin.

Rudina Xhunga: Ku ishte vija e frontit?

Mira: Maja e malit tonë, duke zbritur te gryka e Mezhgoranit. Dhe unë e kam gjetur këtë tel, e kam pastrua pak.

Rudina Xhunga: Ku e gjete këtë?

Mira: Në mal, e mbuluar me gurë.

Rudina Xhunga: E kupton çfarë historie ka mbledhur Mira? Ky teli ndante italianët dhe grekët. Teli i frontit i një lufte të çmendur që vrau më shumë se 16 mijë vetë. Dhe që përfundoi si mos më keq sepse pastaj erdhën gjermanët. Varret e asaj lufte janë akoma në tokën tonë, tani të rregulluara. Po në male ka ende mbetje të trupave të tyre. Por siç vjen jeta, në një moment në një moshë, në një kohë, ti nis e kërkon për historinë tënde dhe kështu vijnë dhe njerëzit që kanë pasur gjyshërit, kanë pasur stërgjyshërit, ata vijnë. Vijnë sepse kjo është tokë lufte. Madje këto gryka nga Mezhgorani në Këlcyrë, buzë Vjosës, kanë pasur luftëra e kanë parë luftëra të huajsh e përplasje sa këtej duhet të qe pëllëmbë e muze, siç është pëllëmbë e tregim. Po ti ke bërë një gjë unike, një gjë që se kam parë asgjëkundi.

Rudina Xhunga: Këtë e paske bërë bukur. Kjo është shumë e bukur, sepse është fundi i luftës. Kjo është një helmetë ku Mira, ka mbjellë lule. Se kështu mbaron e gjitha. Ti vdes po nuk zhdukesh, transformohesh. Dhe lufta transformohet në lule të një kohe tjetër. Kështu që mos bëni luftëra, mbillni lule. Kjo është një predhë e përgjysmuar, ku është mbjellë lule. Më kënaqe, ti ke bërë një gjë të mrekullueshme këtu. Ta thonë shpesh që ke bërë një gjë kaq të bukur apo vetëm unë po habitem?

Mira: Jo, ma thonë shpesh.

Rudina Xhunga: E ke bërë kaq të bukur sa s’ka ku të vejë. Edhe kopshtin. Po kjo është bujtina e Mirës, që s’e ka hapur akoma. Po pse se ke hapur moj Mira, e di sa shumë njerëz do të vijnë këtu?

Mira: Jemi akoma në ndërtim e sipër. Shpresojmë ta hapim sa më shpejt. Po edhe një cikë lekë na duhet.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historiveTë njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: Po shteti nuk ju ka ndihmuar fare?

Mira: Jo, akoma jo.

Rudina Xhunga: S’ke kërkuar?

Mira: Po dhe kam kërkuar po janë disa procedura aq të gjata sa që nuk i bën dot.

Rudina Xhunga: Shiko, Mira dhe shumë të tjerë si Mira, dinë të bëjnë muzeume unike. Dinë të bëjnë gliko të jashtëzakonshme, dinë të bëjnë oborre të mrekullueshme, dinë të bëjnë bujtina, ju duhen edhe pak lekë. Mos i mbysni në emaile e shkresa, ndihmojini njerëzit se nuk ka shumë të tillë. Se pas Mirës do të hapet një bujtinë tjetër, dhe një tjetër. Dhe kështu një fshat kthehet në qytetërim, se mbushet me njerëz. Vetëm pemët ishin më parë pa ardhur ju apo jo?

Mira: Ferra mund të thuash.

Rudina Xhunga: Me ferra e gjete, por e ke mbushur me trëndafila.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historiveTë njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Mira: Po këto trëndafila i kemi mbjellë më shumë për të respektuar Trifon Xhagjiken, dëshmorin e fshatit Peshtan. I cili është pushkatuar gjatë sistemit komunist, në vitin 1963. 31-vjeç.

Rudina Xhunga: Përse është këtu në këtë vend?

Mira: Se këtu janë rrënojat e shtëpisë së Trifonit. Ai ka ikur 4 ose 5 vjeç nga fshati. Por fshatin nuk e harroi, shkruante edhe poezi për fshatin, për Vjosën. Dhe natën e fundit iu bë në ëndërr Vjosa e turbulluar. Dhe ne lumin e turbulluar në ëndërr e kemi një lajm të keq, dhe të nesërmen e pushkatuan. Dhe nuk u gjet më kurrë. Dhe kjo ishte më e pakta që mund t’i bënim.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: Fshat që është bërë nga e para. Kur është bërë busti?

Mira: Një vit më parë.

Rudina Xhunga: Sa vjet më parë është bërë kisha e Shën Mërisë?

Mira: Rreth dy vjet më parë. Unë këtu kam ardhur në 2012.

Të njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historiveTë njoh me muzeun më unik shqiptar, në vendin e 1001 historive

Rudina Xhunga: Ky është fshat komplet nga e para. Kur erdhe këtu sa shtëpi gjete?

Mira: Shume pak dhe të prishura. Tani janë mbi 30 dhe te gjitha te reja.

Rudina Xhunga: Ja çfarë të bën një rrugë. Një rrugë në një fshat që është buzë rruge po rrugë nuk kishte. Rruga e bëri nga e para, e bëri të banueshëm. I ktheu njerëzit nga Tirana, nga Greqia. Donin kishën, kisha u ribë. Kisha me një histori kambanë të pazakonshme. Historinë e kambanës së kishës, nuk e gjeni në asnjë film. Ata që e prishën në vitin 1967, njeriu që e hoqi kambanën dhe e hodhi, pati frikë. Pati frikë se mos i bënte keq perëndia. E mori e fshehu për 30 vjet në shtëpi. Dhe nuk iku pa lënë amanet që nëse rikthehet kisha në Peshtan, çoni kambanën. Djali i tij, kur mori vesh që kisha në Peshtan do të bëhej, e ktheu kambanën. Kambana reale e kishës së Peshtanit, tani bie për ata që kanë veshë. Dhe që e kuptojnë se e ardhmja është e gjelbër, e ardhmja është në fshatra, që prodhojnë, që administrohen në mënyrë të kujdesshme, dhe sidomos me dashuri të madhe. Nuk ka shans tjetër për ne. Turizëm në vend të drogës, punë në vend të lekut të shpejtë, që s’të çon asgjëkundi dhe shumë dashuri, si për këtë fshat që pakkush e dinte që ishte, deri para pak kohësh. Tani e shikoni vetë si është bërë./dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb