Presidenti amerikan Donald Trump thotë se udhëzimet e qeverisë federale për distancimin fizik të vendosura për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit do të shuhen kur të skadojnë të enjten dhe kur shtetet të fillojnë masat për rihapjen e ekonomisë.

Presidenti Trump i bëri komentet pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Guvernatorin e Luizianës, John Bel Edwards.
“Ato (udhëzimet për distancimin fizik) do të veniten sepse tani guvernatorët po e bëjnë këtë. Kam zhvilluar shumë biseda telefonike me guvernatorët, Guvernatorin e Teksasit Greg Abbot dhe shumë guvernatorë të tjerë. Po bisedojmë me shumë njerëz të ndryshëm dhe ata po na shpjegojnë hapat që po ndërmarrin. Unë jam në favor të masave që ata po ndërmarrin. Ne po e rihapim vendin” tha Presidenti Trump.

Administrata e Presidentit Trump thotë se udhëzimet e lëshuara 45 ditë më parë janë përfshirë në rekomandimet që u janë dhënë shteteve mbi fillimin e procesit të rihapjes graduale të ekonomive të tyre.

“Ne kemi lëshuar udhëzimet para 45 ditësh, fillimisht për 15 ditë pastaj i zgjatëm për 30 ditë për të ngadalësuar përhapjen (e koronavirusit). Çdo shtet në Amerikë ka respektuar ato udhëzime dhe në disa raste i ka zgjeruar ato. Tani ne jemi të përqëndruar në bashkëpunimin me guvernatorët e shteteve si guvenratori John Bel Edwards për të zbuluar planet për rihapjen e shteteve të tyre. Ne kemi lëshuar udhëzime të reja për rihapjen në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme të shteteve dhe të gjithë Amerikës”, tha Nënpresidenti Pence, i cili ishte i pranishëm në takimin në Shtëpinë e Bardhë mes Guvernatorit të Luizianës dhe Presidentit Trump.

Lajmi vjen në një ditë që solli shenja shpresëdhënëse për një trajtim të ri të koronavirusit së bashku me shifrat e zymta ekonomike. Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u tkurr 4.8 për qind në tremujorin e kaluar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb