Analisti Agron Gjekmarkaj i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ ka komentuar zhvillimet politike në vend, ndërsa është ndalur dhe tek zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjekmarkaj duke analizuar lëvizjet e liderit të PD-së, Lulzim Basha, theksoi se ky i fundit ka bërë aksionin e duhur politik, si përsa i takon problemeve të shkaktuara nga pandemia apo dhe planin e tij për rimëkëmbjen ekonomike.

Po ashtu analisti pohoi se ka shumë gjasa që PD dhe LSI të dalin në dy koalicione të ndara nga njëra-tjetra, për të mbledhur dhe votat.

INTERVISTA E GJEKMARKAJT
Si ju duket lëvizja e Bashës këto kohë?

Basha po bën gjënë e duhur. Po merret me problemet që na shqetësojnë më shumë. Jetojmë me efektin e saj negativ, pandemia e COVID. Ndaj duhet të ketë ndërhyrje shtetërore. E shoh në linjë që kur në mars, ku propozimet e Bashës kanë qenë konstruktive. Më pas kryeministri i ka zbatuar. Them se sot ky është problemi themelor për pasojat e pandemisë. Kur sëmuremi ka kosto ekonomike. Basha ka bërë aksionin e duhur. Është gjëja e duhur, janë tema themelore. Kryeministri ndihet i shqetësuar se aty ka një grupe të mëdha në menaxhimin e pandemisë dhe tërmetin, dhe e mbulon gropën me batuta.

Duhet organizim për zgjedhjet brenda PD?
Forcat kryesore duket se janë pozicionuar dhe po i ndezin motorët. Qeveria duket më afër pasi ka instrumente. Shohim që takimet e saj janë më të shpeshta, frenetike. Por dhe PD shoh se ka hyrë në atmosferë të re. Është grind që vjen nga një proces, siç është ai i seleksionimit të kandidatëve. Një garë që në tërësinë e saj është një risi, i dobishëm që i jep kredo opozitës. Besoj se ndoshta me zgjedhjen e udhëheqëseve politike, PD do të jetë me të njëjtën fuqi lëvizjeje.

Çfarë po përpiqet Basha duke insistuar tek keqmenaxhmi i pandemisë. I jep avantazh elektoral?
Nëse e shohim, pandemia është një nga problemet. Por Basha është marrë dhe me planin e PD për ekonominë, me ofertat që ka. Duke zbuluar keqmenaxhimin, ajo i ofron diçka elektoratit. Në të gjithë botën po bëhet politikë me pandeminë. Është në lojë e ardhmja e botës.

Çfarë duhet të bëjë LSI? A ka ardhur koha që të merren me taktikat elektorale për koalicionin?

Se di se cila do të jetë strategjia e dy partive kryesore të opozitës. Por gjasat janë që ato të shkojnë me dy koalicione të pavarura nga njëra-tjetra, duke u përpjekur për të mbledhur votat e tyre. Kjo është një mënyrë për të maksimalizuar votat dhe pa i hyrë në hak njëra-tjetrës. Duket se ka strategji LSI që të ‘kafshojë’ dhe nga elektorati i majtë. Unë mendoj se ata duhet të jenë reflektues. Duhet të shfaqin një program cilësor dhe ekip cilësor. Basha duhet t’i bëjë të qartë kësaj shoqërie që duhet një prerje me thikë që çdo gjë do të jetë ndryshe.

Nga ana tjetër kemi një reagim të ashpër nga presidenti Meta…A thotë se Rama po ua shet vendin të huajve. Pse është kaq i ashpër?
Kur themi; “po ua shet vendin të huajve”, kjo është deklaratë e madhe, me efekte, propagandistike. Qeveria ka pasur marrëdhënie skandaloze në këto 8 vite me Greqinë. Sa i përket pjesës së si komunikon presidenti i Republikës, ai është shtrënguar që të reagojë me gjuhë radikale. Ata e kanë detyruar presidentin që të dalë nga ‘shinat’ e një gjuhe normale. Kjo në kushte normale do të ishte gjuhë e pajustifikuar. Sjellja e presidentit është e justifikuar.

Si ju duket deklarata e zonjës Topalli dje në ‘Real Story’, “Po nuk iku Basha, Rama nuk largohet”?!

S’jam dakord me deklaratën e zonjës Topalli. Nuk është një momentin e duhur. Duke vënë shenjën e barazimit mes tyre, në fund shkohet tek një e mirë për kryeministrin. Uji shkon drejt mullirit të tij. Sjelljen e saj e kam konsideruar anti-historike. Do ishte më simpatike një sjellje tjetër e saj, dhe kam menduar se betejat e përbashkët që ka bërë me demokratët, të ishin një fre për zemërimin e saj. Ajo ato vota që pretendon të marrë, duhet t’i vërë në shërbim të rrëzimit të Edi Ramës. Që të shpallë një afrim me PD-në. Edhe zoti Basha duhet të kishte bërë më shumë për bashkimin e demokratëve, me të gjitha personazhet, duke nisur nga Bamir Topi. Ka qenë pak i ngurtë në këtë drejtim. Në politik shahu dhe loja është e hapur. Shpejtësia me të cilën u krijuan disa parti, e bëjnë banale kauzën e krijimit të këtyre partive. Këto parti bëjnë dashje pa dashje lojën e kryeministrit.

Pse ka një klimë të tensionuar në SHBA për zgjedhjet?

E gjithë vëmendja e botës është e përqendruar prej disa kohësh në SHBA, madje për sot dhe nesër do të jetë më e përqendruar. Presidentin e Amerikës e kemi cilësuar si lider të botës. Qëndrimet e Biden dhe Turmp janë të kundërta, diametrale dhe vëmendja është normale. Presidenti i SHBA ndoshta për herë të parë ka tentuar që të përdorë një gjuhë më të fortë. Shqiptarët këtë herë janë sjellë më mirë në raport me zgjedhjet në Amerikë. Janë menaxhuar mirë, kanë qenë diskret dhe nuk kanë rënë pre e euforisë. Kjo ka një rëndësi, pasi presidenti i SHBA-ve, kushdo qoftë, na intereson që të kemi marrëdhënie të mirë. Që të çojmë para çështje të sigurisë kombëtare.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb