Së fundmi u fol se do të ishte trajner i Realit të Madridit, u tha se mund të kthehej tek Interi ose se mund të niste një aventurë te PSG, por e ardhmja e Zhoze Murinjos, pas shkarkimit nga Mançester Junajtid duket se do të jetë në Bundesligë.

Lajmi i bujshëm vjen nga Franca dhe bën rikoshet në Portugali: Bajerni i Mynihut është gati të nisë kontaktet me “Special One”-n për t’i besuar stolin pas sezonit zhgënjyes të Niko Kovaç.

Sipas “Footmercato”, klubi kampion i Gjermanisë ka vite që e ndjek portugezin, por pa arritur kurrë të nënshkruajë me të. Ndaj këtë verë duket se mund të jetë momenti i duhur për të kurorëzuar një martesë të bujshme.

Fakti që të bën të mendosh se Bajerni nuk do ta kursejë dorën në ngritjen e një ekipi të fortë, janë edhe fjalët e presidentit Hënes pas blerjes së Lukas Hernandezit. “Do të shpenzojmë si kurrë më parë,” pat thënë Hënes. Një verë e nxehtë i pret tifozët në Bavari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb