Ka provuar të luajë në shumë derbe dhe ka përjetuar ndeshje të tilla nga pankina e Partizanit. Shpëtim Duro, ish-lojtar dhe drejtues i skuadrës së kuqe, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për ndeshjen e së dielës mes Partizanit dhe Tiranës që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Duro komenton faktin që do të luhet jashtë kryeqytetit, gjë e cila do të bëjë që atmosfera të mos jetë e njëjtë. Duro, nga ana tjetër, thekson se në fushë nuk do të ketë shumë spektakël, por një lojë të fortë fi zike.

Profesor, të dielën luhet derbi. Si ju duket situata përpara një ndeshjeje të tillë?
Mund të them se për të dyja ekipet, pra si për Partizanin, ashtu edhe për Tiranën situata është pozitive, bazuar në ndeshjet që atokanë zhvilluar deri në këto momente.

Ju duket normale që një ndeshje e tillë të luhet në Elbasan, ndërkohë që e kemi një stadium në kryeqytet?
Do të luhet në një impiant modern, megjithatë nuk do të jetë atmosferë e njëjtë si në stadiumin “Qemal Stafa”.

Çfarë mendoni se ka më të mirë Partizani se një vit më parë?
Të them të drejtën, te Partizani nuk shoh ndonjë ndryshim nga sezoni i kaluar, si në organikë, ashtu edhe në mënyrën e të luajturit.

Po më keq?
Fakti që nuk kanë një sulmues finalizues dhe një lojtar të tipit Mazrekaj, i cili mungon në këtë derbi.

Mund t’i analizojmë repartet me radhë dhe të bëjmë një krahasim me Tiranën?
Nuk do të bëja një krahasim në veçantë, por mund të them se Partizani është një skuadër më kompakte në aspektin mbrojtës.

Cila skuadër i ka krahët më mirë?
Krahu i djathtë te Tirana me Takun dhe Kërçikun është i rrezikshëm, ndërsa te Partizani në krahun e djathtë është i rrezikshëm Fejzullahu. Megjithatë mendoj se loja do të vendoset nga episode të veçanta, sidomos nga situatat që do të krijohen nga goditjet standarde.

Po më shumë fantazi cila skuadër do të ketë?
Nuk mendoj se në këtë derbi do të ketë shumë fantazi, por e parashikoj si një lojë shumë taktike të një karakteri fizik.

Çfarë ka shumë Sormani se Daja?
Për Sormanin nuk mund të them shumë, pasi nuk e njoh mirë, duke qenë se koha e tij është e shkurtër dhe një gjykim më i saktë do të jepet në të ardhmen. Ndërsa për Dajën mund të them se është një trajner me kualitet në kampionatin shqiptar.

Cila nga ekipet ka më tepër presion?
Të dyja skuadrat janë në presion, pasi rezultatet në derbi janë shumë të rëndësishme për ecurinë në kampionat.

Kush e bën diferencën në këtë ndeshje?
Nuk shikoj diferenca mes dy ekipeve, por diferencën do ta bëjë ajo skuadër që interpreton më shumë në fushë. Kjo pasi ndeshjet derbi janë të tilla.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb