Që nga fillimi i këtij viti vihet re një shtim i numrit të shqiptarëve që duan të kthehen në vendlindje. Arsyet lidhen me hapjen e tregut të punës. Por ka disa prej tyre që duan të kthehen në atdhe dhe nuk munden.

Deri në 100 vetë në ditë largohen ditët e fundit nga aeroporti i Frankfurtit në drejtim të Tiranës apo Prishtinës. Këtë rritje të numrit të azilkërkuesve, shumica e të cilëve udhëton me shpenzimet e veta, e konfirmon edhe zyra e shtypit të Policisë Federale në Aeroportin e Frankfurtit e pyetur nga Deutsche Welle. Shqiptarët që duan të kthehen marrin pasaportat para kthimit në atdhe dhe një letër konfirmimi që personi largohet vullnetarisht nga Gjermania.

Kthim me shpresë rikthimi
Një ndër arsyet e kthimit është frika e bllokimit të hyrjes në zonën Shengen për ata azilkërkues, të cilët kanë marrë letrën e refuzimit dhe që iu kërkohet largimi nga Gjermania. Para dëbimit me një shënim në pasaportë shumë vetë pra preferojnë largimin vullnetar. Por largimi vullnetar nga Gjermania me sa duket bëhet edhe me shpresën e rikthimit legal në këtë vend. Që nga hyrja në fuqi më 1 janar të këtij viti e rregulloreve, që e hapin tregun e punës për njerëzit nga Ballkanit, përfshi këtu edhe qytetarë nga Shqipëria apo Kosova shumë vetë preferojnë kthimin vullnetar. Nga fillimi i këtij viti në ambasadën gjermane në Tiranë për shembull janë regjistruar 170 kërkesa për një vend të rregullt pune në Gjermani.

Por ndërkohë që qindra vetë marrin avionin për në atdhe ka disa shqiptarë që duhet të presin më gjatë për kthimin. Shkak për këtë është bërë një fenomen që së fundmi në mediat gjermane përmendet si “fenomeni i humbjes së pasaportave”. Në fakt bëhet fjalë për një “humbje” të përkohshme të pasaportave në varavingon burokratike të autoriteteve gjermane të azilit dhe të huajve. Annegret Spitz e ngarkuar për këshillimin e refugjatëve që duhet të kthehen në organizatën humanitare “Kölner Diakonie” e pyetur nga Deutsche Welle pohon se “ndodh shpesh që refugjatët, të cilët dorëzojnë pasaportën në Zyrën e Emigracionit apo në autoritete të tjera, ku ata regjistrohen duhet të presin shumë gjatë derisa të shfaqen pasaportat në zyrat e të huajve.” Vitin e kaluar janë këshilluar rreth 640 persona në “Kölner Diakonie” dhe gati tek një e treta e tyre është përballur me fenomenin e zhdukjes burokratike të pasaportës, thotë Annegret Spitz.

Zhgënjim tek azilkërkuesit që duan të kthehen
E ngarkuara e “Kölner Diakonie” konstaton se këtë fenomen të zhdukjes disamujore të pasaportës e ka vënë re më shpesh tek shqiptarët nga Shqipëria apo Kosova. “Ndoshta kjo lidhet me atë që këta persona i kanë pasur pasaportat me vete krahasuar me nacionalitete të tjera”. Në zyrat e organizatës “Kölner Diakonie” Spitz ka këshilluar një shqiptar nga Shqipëria, i cili e kishte dorëzuar pasaportën dhe duhej të priste gjatë për kthimin në Shqipëri. Mbi rastin e shqiptarit me pasaportë “të humbur”, Annegret Spitz tregon se ai priti me durim. “Ai vinte herë pas here tek ne, pyeste, ne po ashtu pyesnim tek autoritetet tek Zyra Federale e Emigracionit”. Pasaporta e shqiptarit, emrin e të cilit “Kölner Diakonie” për arsye të mbrojtjes së personit nuk e përmend, u rishfaq sërish pas pesë muajsh.

Annegret Spitz ka vërejtur zhgënjimin e azilkërkuesve që kishin krijuar një mit për burokracinë gjermane. “Jo vetëm ky shqiptar, por edhe shumë të tjerë nuk mund ta perceptonin dot si mund të ndodhte kjo, kur nga njëra anë ata marrin mesazhin që duhet të kthehen dhe nga ana tjetër, kur ata duan të kthehen, kjo është e pamundur, ose zgjat gjatë. “Është shumë e vështirë kur nuk mund të planifikosh dot jetën, kur nuk e di se kur mund të gjendet pasaporta, pas një një muaji, pesë muajsh apo më vonë.”

Reagim i Zyrës Federale të Migracionit dhe Azilit
Nga njëra anë azilkërkuesit duhet të kthehen, nga ana tjetër autoritetet nuk ua dorëzojnë menjëherë pasaportën. Po i rrëshqet situata nga duart autoriteteve gjermane të mbingarkuara me krizën e refugjatëve? Në një prononcim për Deutsche Wellen të Zyrës Federale të Migracionit dhe Refugjatëve në Nuremberg thuhet se “ka raste, kur përkohësisht një dokument nuk i përgjigjet një procedure të caktuar azili. Arsye për këtë është që Zyra Federale pjesërisht merr pasaporta nga autoritete të tjera, përpara se të shtrohet një kërkesë azili. Në momentin që bëhet kërkesa e azilit, pasaporta futet në dosjen e dokumenteve të azilkërkuesit. Ajo qëndron aty deri në përfundim të procedurës së azilit.”

Por tani azilkërkuesit që duan të kthehen në atdhe e kanë një shpresë për gjetjen e shpejtë të pasaportës. Sipas Zyrës Federale të Migracionit dhe Azilit, BAMF “Në BAMF ka disa kohë që për pasaportat që nuk lidhen me asnjë procedurë azili është krijuar një regjistër qendror. Me këtë sigurohet që çdo degë e Zyrës Federale ka akses në çdo kohë tek dokumentet”.

(m.k/DW/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb