Briken Calja, kampion bote në peshëngritje, ishte i ftuari i parë në programin “Dola te Ola” këtë javë.

Sportisti zbuloi se ka marrë plot 38 medalje në Kampionatin Europian dhe Botëror. Ai foli gjatë për karrierën e tij të suksesshme, dhe tregoi se nëna dhe babai i tij kanë qenë mbështetësit e tij kryesorë. Mes emocionesh ai tha se arritjet e tij ua dedikon atyre, teksa u shpreh se ndihet krenar që mundi t’ia shlyejë sakrificat babait të tij.

Një mbështetje shumë e madhe për të ka qenë edhe bashkëshortja e tij, e cila kishte dërguar një videomesazh shumë të bukur në program, ku shprehte gjithë dashurinë e saj dhe tregonte përkushtimin e Brikenit pavarësisht se koha e tij është e kufizuar. Sportisti, përveçse një bashkëshort shumë i mirë, është edhe baba shembullor i një djali të vogël.

Brikeni foli edhe për mbështetjen që shteti u jep sportistëve, duke theksuar se ndër vite ka qenë inekzistente, teksa shtoi se së fundmi ka ndryshuar disi. Sportisti zbuloi se është në një proces gjyqësor me shtetin, pasi në momentin që jashtë vendit ai ka arritur të vlerësohet me 3 medalje, shteti shqiptar e ka llogaritur si 1 medalje të vetme.

Në fund të bisedës vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti e përshëndetën më një këngë nga Elbasani, duke i dhuruar emocione të bukura sportistit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb