Në krizë totale, Vllaznia e ka të pamundur të rikthehet te fitorja, suksesi i tyre i fundit daton më 12 shkurt. Shkodranët dalin me një pikë pas barazimit 2-2 përballë Kastriotit, një pikë që i rri ngushtë dhe i largon gjithnjë e më shumë nga Evropa. Sfida nisi në malore për kuqeblutë, ku pas 22 minutash lojë, Bekim Balaj u largua nga fusha e lojës i dëmtuar.

Dy ekipet prodhuan pak raste për shënim, por fundi i pjesës së parë ishte “zjarr”. Në minutën e 43-të, Latifi futi një top të bukur në zonë, aty ku Çoba me një goditje të saktë kaloi Vllazninë në avantazh.

Festa nuk zgjati shumë pasi dy minuta më vonë, Juric shkaktoi faull në zonë, me gjyqtarin e takimit që akordoi penallti dhe karton të kuq për Juric, i dytë i verdhë. Nga pika e bardhë e penalltisë, Rexhinaldo u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1.

Me fillimin e pjesës së dytë, Kaina u shërbye në zonë dhe me kokë rikthye Vllazninë në avantazh. Atëherë kur gjithçka po shkonte drejte fundit, në minutën e 92-të, Mihana me kokë vendosi baraspeshën.

 

Vijon ecurinë shumë të mirë Egnatia. Rrogozhinasit dalin me tre pikë nga sfida përballë Bylis pas suksesit të pastër 2-0. Malota dhe Kasa ishin autorët e golave. Me këtë fitore, Egnatia afrohet gjithnjë e më shumë me objektivin kryesor, të sigurojnë një vend në kupat e Evropës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb