Shkodra u trondit mbrëmjen e 4 prillit 2021 kur ndaj makinës me të cilën po udhëtonte Bardhok Pllanaj u derdhën plotë 77 plumba nga dy gryka automatikësh. Ai njihej me nofkën Kumbari, jo vetëm sepse ishte një lojtar i rëndësishëm i botës së krimit në vend, por edhe sepse arrinte të ulte përballë njëri tjetrit kundërshtarë të përbetuar, për t’i pajtuar ata.

Pllanaj lëvizte lirshëm, pa asnjë mbrojtje dhe kohët e fundit kishte hyrë në listën e biznesmenëve të Shkodrës teksa merrej me ndërtim. Ai është konsideruar si një nga baronët më të mëdhenj të drogës në Shqipëri.
“Më datë 4 Prill 2021 rreth orës 21:07 në lagjen Dobraç, Shkodër, është vrarë me armë zjarri shtetasi, Bardhok Pllanaj. Në momentin e ekzekutimit, viktima ka qenë duke lëvizur me një makinë me targë AA 531 ZY, ngjyrë e zezë, e tipit ‘Range Rover’ në lagjen Dobraç me drejtim rrugën nacionale për në Koplik”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, në News 24 të gazetares Klodiana Lala prita nuk ishte e beftë, por e mirëmenduar dhe shënjestra ishte ndjekur hap pas hapi në lëvizjet e tij.
“Menjëherë sapo automjeti i Pllanaj ka përshkruar rrugën, pas tij është afruar nga mbrapa një automjet tip Wolksvagen Passat, ngjyrë e errët, me targa të huaja, në të cilën ndodheshin dy persona, të cilët kanë qëlluar nga brenda makinës së tyre me armë zjarri automatik, duke e lënë të vrarë shtetasin Bardhok Pllanaj. Nga këqyrja e kufomës rezulton se viktima ka marrë disa plagë, në kokë, gjoks, krah, bark dhe më së shumti tek pjesët e këmbëve”, thuhet më tej në dosjen hetimore.

Duke iu referuar dinamikës së grupit hetues, menjëherë pasi kryen ekzekutimin, autorët morën rrugën e kthimit në lagjen Dobraç i Ri ku thuhet se i vendosën flakën automjetit të përdorur në vrasje. pasi e braktisën makinën në një rrugicë pa dalje. Ky fakt tregon se ata ishin të mbrojtur mirë në lëvizjen e tyre, pasi askush nuk do guxonte të futej në një rrugë pa një dalje, pas kryerjes së një krimi.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u konstatua se mjeti me targë AA 531 ZY, ngjyrë e errët, i tipit Range Rover, ndodhej i ndaluar në oborrin e një subjekti me materiale ndërtimi i goditur nga plumbat, ku brenda tij u gjend pa jetë trupi i Bardhok Pllanaj. Gjatë evidentimit të mëtejshëm të vendit të ngjarjes, u konstatua se skena e krimit fillon në një distancë prej 100 metrash, pa shkuar te mjeti i viktimës. Ku në rrugë, pranë trotuarit u konstatuan në mënyrë të ç’rregullt gëzhoja automatike model 56. Nga kjo këqyrje u fiksuan 77 gëzhoja, si dhe dy gëzhoja u gjendën tek mjeti i djegur”, thuhet në dosjen hetimore të publikuar “Në Shënjestër” në News 24.
Bazuar në dosjen hetimore, ashtu si në raste të ngjashme, edhe në ekzekutimin e Bardhok Pllanaj, autorët përdorën një makinë të vjedhur, që edhe kjo rezultonte se ishte raportuar e tillë, një vit para se krimi të konsumohej.

“Nga këqyrja e mjetit të djegur tip Wolksvagen Passat me targa FV 140 MT u gjetën dy armë automatike. Nga verifikimet e kryera rezulton se mjeti është vjedhur në Tiranë. Dhe më herët ka mbajtur targën AA 422 XY në pronësi të ‘Mogo Albania’, i marrë me kredi nga shtetasi E. H. Ky i fundit më datë 29 Shkurt 2020, ka bërë kallëzim penal në Tiranë, duke deklaruar se persona të paidentifikuar i kanë vjedhur makinën te Liqeni i Thatë.”, vijon më tej dosja hetimore.

Kush ishte Bardhok Pllanaj?
Natën e ngjarjes Bardhok Pllanaj, sipas dosjes, rezulton se ndodhej në spitalin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten e tij, aty ku kishte të shtruar nënën e tij. Pasi ka qëndruar për një farë kohe në spital, ai mësohet se ka lënë këto ambiente, dhe ka marrë rrugën për në banesën e tij. Sapo ka lënë bashkëshorten, Pllanaj ka dalë sërish nga banesa, duke u drejtuar këtë herë për në Malësinë e Madhe te një miku i tij, ku do të linte disa ilaçe.

Ky duket se ka qenë edhe momenti, kur atentatorët e tij kanë gjetur pikërisht kohën e duhur për ta neutralizuar pa kthim. Është kjo dinamikë që ka çuar grupin hetues në dyshimin e arsyeshëm se Pllanaj atë mbrëmje, ka qenë përgjatë gjithë kohës i vëzhguar nga atentatorët e tij. Autorët e ngjarjes zgjodhën ta digjnin automjetin e tyre fare pranë vendit ku kryen ekzekutimin vetëm 250 m nga vendi i krimit.

“Gjatë këqyrjes së automjetit të Pllanaj, u gjetën dy aparate telefoni. Nisur nga hetimet e para dyshojmë se kemi të bëjmë me një ngjarje me paramendim, të mirë organizuar, me mbi dy persona autorë të cilët kanë bashkëpunuar me persona të tjerë të cilët kanë ruajtur viktimën në lëvizjet e tij. Viktima dyshohet se ka qenë së bashku me bashkëshorten e tij në spitalin e Shkodrës tek nëna e sëmurë dhe pasi ka dalë nga aty ka shkuar për në banesën e tij në lagjen Dobraç. Pasi ka lënë gruan tek oborri i pallatit ai është nisur të shkojë në Malësi të Madhe tek një i afërm për të çuar ilaçe. Por sapo ka dalë nga oborri i pallatit në një distancë rreth 50 m, ai është qëlluar nga autorët”, thuhet në dosjen hetimore.

Grupi hetues mori në pyetje edhe dëshmitarë në vendngjarje, të cilët mund të jepnin detaje të rëndësishme me atë çfarë mund të kishin parë. Kjo rezultoi një tentativë e dështuar pasi askush nuk ofroi informacione të dobishme për zbardhjen e ngjarjes. Majde as edhe roja i një kantieri rruge, fare pranë vendit të krimit, që atë mbrëmje po kryente turnin e tij të punës.

“Lidhur mbi ngjarjen, është pyetur edhe një shtetas me detyrë roje tek disa makineri në Bypass-in që lidh ‘5 heronjtë’ me Unazën e Re, i cili ka qenë roje në datën 4 Prill 2021 në mbrëmje deri në mëngjes të datës 5 Prill 2021. Ai tregon se në këtë rrugë nuk ka kaluar asnjë makinë, po kështu as persona që lëvizin në këmbë. Si dhe nuk ka dëgjuar të shtëna me armë”, thuhet në dosjen hetimore.

Pasi dështoi të siguronte asnjë informacion të vlefshëm nga ata që quhen dëshmitarë okularë apo rrethanorë të ngjarjes, në këto kushte, grupi hetues, u ndal te komunikimet që Bardhok Pllanaj kishte në orët e tij të fundit të jetës, te dy aparatet e tij telefonikë, të gjetur në makinën e tij, njëri prej të cilëve rezultoi i dëmtuar, ndërsa tjetri në gjendje pune. Të gjitha rrugët e çuan prokurorinë të dyshojë se vrasësit kishin ardhur nga Nikla, ndërsa porositësit ndodheshin brenda në Shkodër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: