Pavarësisht se u diskutua për afrimin e një portieri, te Vllaznia duket se kanë hequr dorë për momentin për afrimin e një “gardiani” tjetër. Kjo pasi te kuqeblutë tashmë do jenë të gatshëm dy portierë, të cilët mund të garantojnë vazhdimësi gjatë sezonit.
Rikthimi nga dëmtimi i Kristi Qarrit dhe arritja e formës optimale nga ai, duket se momentalisht ka larguar vëmendjen për një afrim të një portieri tjetër. Po ashtu, Aron Jukaj, i cili ishte një nga zbulimet e sezonit të shkuar përsa i përket rolit të portierit, do vijojë të jetë në skuadër. Edhe 20- vjeçari ka treguar rritje nga dhjetori i kaluar ku u aktivizua për herë të parë si titullar me kuqeblutë pas dëmtimit të Qarrit.
Pavarësisht se si, nga ai, por edhe nga Qarri, te Vllaznia presin akoma një nivel më të lartë në edicionin 2025-26, duke qenë se tashmë dyshja e ka “eksperiencën” e duhur të një kampionati si Superiorja. Duke shtuar këtu faktin se të dy portierët së bashku edhe me portierin e tretë, Bunjaj, kanë treguar një formë shumë të mirë sportive në këto përgatitje verore, kanë bindur drejtuesit që momentalisht të mos kërkojnë në treg për portier.
Pavarësisht se asgjë nuk mund të përjashtohet deri në fundin e merkatos, ku surpriza ka gjithmonë, por momentalisht porta duket e “kyçur” te Vllaznia. Me Qarrin dhe Jukajn, të cilët do kenë një garë mes tyre për një fanellë titullari në edicionin që nis në muajin korrik me ndeshjet e Conference League.