SHKODER

Një ditë pas vrasjes së Fatos Verracakut dhe plagosjes së Fatmir Mehajt në Shkodër, është shoqëruar në polici anëtari i djathtë i Këshillit Bashkiak. Burime për ‘BalkanWeb’ bëjnë me dije se Mustaf Lici u shoqërua që në orën 6 të mëngjesit.

Burime zyrtare bënë me dije se Lici ka qenë në banesën e tij në afërsi të Zooteknikës kur FNSH me efektivë të maskuar kanë rrethuar fillimisht banesën dhe më pas kanë bërë shoqërimin e tij në komisariat. Po sipas këtyre burimeve Lici vazhdon që të merret në pyetje lidhur me atentatin e djeshëm.

Që pas shoqërimit dhe deri më tani familjarët e këshilltarit të Bashkisë nuk janë lejuar që të kenë asnjë lloj kontakti me të. Ata kanë kërkuar që t’i dërgojnë ujë dhe ushqime, por kjo gjë nuk është pranuar nga policia. ‘BalkanWeb’ mëson se familjarët deri më tani nuk kanë marrë asnjë lloj shpjegimi rreth shoqërimit të Licit, ndërkohë që ky i fundit qëndron prej të paktën 7 orësh e gjysëm.

NGJARJA
Një ditë më parë në merkatën e Rusit u vra 40-vjeçari Fatos Verracaku, kushëri i Arjan Ferracakut, ky i fundit i vrarë në 1 shtator të këtij viti, ndërsa i plagosur mbeti Fatmir Mehaj. Motori me të cilin dyshohet se autorët kryen këtë krim u gjet i djegur në Zooteknikë, pak metra larg banesës së Mustaf Licit.

Gjetja e motorit në afërsi të banesës ka bërë që policia të shoqërojë dje djalin e vogël të tij, ndërsa sot vetë Mustafin. Sipas burimeve policore, që të dy kanë mohuar se kanë lidhje me vrasjen e Verracakut apo se kanë dijeni rreth autorëve të mundshëm të kësaj vrasjeje.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb