MAQEDONI- Dyqani i vogël i ëmbëlsirave që mban emrin “Stamboll” në zemër të Çarshisë së Vjetër në Shkup, tërheq vëmendjen e shumë kalimtarëve të rastit, jo vetëm për shkak të vitrinës së pastër dhe të rregulluar mirë me ëmbëlsira të shumëllojshme, por edhe për shkak të emërtimit të pazakontë të bakllavasë “Angela Merkel”.

“Duke pritur klientët dhe blerësit në dyqan, për çdo ditë blej dhe lexoj shtypin ditor. Dua të jem e informuar dhe i ndjek ngjarjet nëpër botë. Kështu që, shpeshherë kam hasur në lajme në të cilat, në të shumtën e rasteve shkruajnë për kancelaren gjermane Angela Merkel. Më pëlqen paraqitja e saj, si flet, mendoj se është një grua shumë e përgatitur”, deklaroi Dostana Mustavçe, pronare e ëmbëltores.

Pronarja e ëmbëltores thotë se kancelaria gjermane Merkel është një nga figurat e saj të preferuara, sidomos pasi ka zbuluar edhe një gjë të përbashkët, kuzhinën, të cilën edhe Merkel e ka shumë përzemërt.

“Kur jetoja në Stamboll, në një revistë turke lexova se asaj i pëlqen shumë kuzhina. Dëshiron dhe di të përgatisë ushqime të ndryshme, ndihmon në pastrimin e shtëpisë, megjithëse ka njerëz të tjerë për këto punë. Sipas meje, modestia e saj është madhështia e personalitetit të saj, prandaj edhe është e çmuar”, tha Dostana Mustavçe, raporton Telegrafi.

Pronarja e ëmbëltores thotë së çdo ditë në dyqanin e saj hyjnë qytetarë të interesuar për bakllavanë “Merkel” por nuk mungojnë as turistët kureshtarë që duan të dinë prejardhjen e idesë për emërimin e tillë të bakllavasë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb