SHKOPET- Një familje polake e ardhur në Shqipëri për pushime është përfshirë në një aksident automobilistit në Shkopet.

Mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30 minuta, në fshatin Skuraj, ndërsa tre anëtarët e familjes polake kanë mbetur të plagosur, teksa udhëtonin drejt Burrelit.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton shkaqet e aksidentit, ndërsa paraprakisht raportojnë se në automjetin e aksidentuar udhëtonin burri, gruaja dhe vajza e tyre 10 vjeç.

Ndërsa gazetari i News 24, Enver Doçi bën me dije se mjeti me të cilin udhëtonte familja e turistëve polakë ka rënë 5 metra në humnerë, në të dalë të një ure. Shkak për aksidentin sipas tij, është bërë mungesa e mbrojtëseve të urës, por edhe terreni i vështirë.

Të parët që i kanë ardhur në ndihmë polakëve, kanë qenë disa persona që po drekonin në një lokal, të cilët konfirmuan se burri dhe gruaja kishin fraktura në trup, ndërsa vajza e tyre paraqitej pa probleme.

Ata janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ndërkohë që policia po punon edhe për identifikimin e tyre.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: