Institucionet e aviacionit dhe të shëndetësisë të Bashkimit Evropian (BE), rekomanduan heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskës kundër COVID-19 në avionët dhe aeroportet duke filluar nga 16 maji.

Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), përditësuan masat e sigurisë në lidhje me shëndetin në udhëtimet ajrore.

Në deklaratën e përbashkët të të dyja institucioneve, u rekomandua heqja e praktikës së kërkesës së maskave mjekësore në aeroporte dhe brenda avionëve.

“Maskat e fytyrës mund të mos jenë të detyrueshme për udhëtimet ajrore nga java e ardhshme, në përputhje me ndryshimin e kërkesave të vendosura nga autoritetet kombëtare për transportin publik në të gjithë Evropën”, tha drejtori i EASA, Patrick Ky.

Ky kërkoi nga pasagjerët që të sillen me përgjegjësi, duke theksuar se është e rëndësishme që personat që ndihen të sëmurë, teshtijnë ose kolliten të mbajnë maskë, duke pasur parasysh shëndetin e pasagjerëve të tjerë.

Pasagjerët do të informohen për këto rregulla në kohën e duhur duke respektuar rregullat shëndetësore në vendet e nisjes dhe destinacionit.

Rregullat në lidhje me maskën mund të ndryshojnë sipas zbatimeve të kompanive ajrore. Për shembull, në fluturimet drejt një vendi ku kërkohen maska ​​në transportin publik, kompania ajrore do të jetë në gjendje të kërkojë maska.

Pasagjerët me sistem të dobët imunitar ose disa sëmundje kronike do të duhet të mbajnë maskë. Në aeroporte, pasagjerëve do t’u kërkohet të respektojnë rregullat e distancës sociale dhe pastrimit.

Në shumë vende evropiane, zbatimet në kuadër të masave për COVID-19 janë lehtësuar muajt e fundit. Në shumë vende evropiane si Britania, Holanda dhe Danimarka, pothuajse nuk ka mbetur asnjë masë ndaj COVID-19. Në disa vende, pak praktika të tilla si detyrimi i maskës në transportin publik ende vazhdojnë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb