NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Nis kontrolli i rreth 5500 kandidatëve në profesionet e mjekësisë, që janë regjistruar për të dhënë provimin e shtetit nga 1 janari i 2014 e në vijim. Nëpërmjet një urdhri të përbashkët, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë kanë vendosur që të ngrenë një grup pune që të bëjnë kontrollet e kandidatëve që janë regjistruar pranë Urdhrit të Mjekëve, të Farmacistëve, Infermierit dhe Urdhrit të Stomatologut për provimin e shtetit nga data 1.1.2014 e në vijim. Provimi i shtetit zhvillohet në dy sezone gjatë një viti, për profesionet e mjekësisë një sezon është në muajin maj dhe sezoni tjetër është në periudhën nëntor-dhjetor. Pritet që grupi i punës në mesin e muajit janar 2016 të bëjë publik raportin me konstatimet dhe rekomandimet përkatëse.

URDHRI & KONTROLLI
Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Shëndetësisë kanë nxjerrë një urdhër të përbashkët, i cili mban datën 07.12.2015 ku nëpërmjet të cilit ngrihet një grup pune që do të bëjë verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve që janë regjistruar për provimin e shtetit pranë Urdhrit të Mjekëve, Urdhrit të Stomatologut, Urdhrit të Farmacistëve dhe Urdhrit të Infermierëve. Kontrolli do të ushtrohet për kandidatët që janë regjistruar praj datës 1 janar 2014 deri në dhjetor 2015.

Po ashtu, në urdhër përcaktohet se grupi i kontrollit duhet të mbyllë kontrollin brenda datës 15 janar 2016, ndërkohë që brenda datës 19 janar grupi i punës duhet të hartojë raportin me konstatimet dhe rekomandimet përkatëse dhe t’i dorëzojë në MAS dhe MSH. Ndërkohë që kandidatëve që janë regjistruar për të kryer provimin e shtetit në sezonin dhjetor 2015, do t’i shtyhet për në fund të muajit janar 2016, përcakton urdhri i përbashkët i dy dikastereve, atij të Arsimit dhe Shëndetësisë. Sipas burimeve pranë MAS, kontrolli ka ardhur për shkak se ka pasur sinjalizime se disa kandidatë të regjistruar pranë urdhrave përkatës të këtyre profesioneve të rregulluara nuk kanë plotësuar kriteret për të hyrë në provim shteti. Provimi i shtetit u jep këtyre kandidatëve të drejtën e ushtrimit të profesionit.

KANDIDATËT
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, në total janë regjistruar për të dhënë provimin e shtetit nga janari 2014-dhjetor 2015, rreth 5500 kandidatë, të cilët në bazë të urdhrit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shëndetësisë do jenë objekt kontrolli. Nga të dhënat rezulton se në sezonin e majit 2014 janë regjistruar 750 kandidatë. Në sezonin nëntor-dhjetor 2014, në profesionet e mjekësisë janë regjistruar rreth 1720 kandidatë, ku 970 kandidatë janë infermierë, 204 mjekë dhe stomatologë dhe 320 farmacistë.

Për këta kandidatë provimi i shtetit u realizua në janar 2015, pasi u sht për shkak se në dhjetor u zhvillua provimi i kandidatëve që konkurruan për specializimet në mjekësi. Po ashtu, për sezonin maj 2013 dhe dhjetor 2-15 janë regjistruar për të dhënë provimin e shtetit rreth 3 mijë kandidatë. Vetëm në sezonin e tanishëm, i cili është shtyrë për në fund të janarit 2016 janë regjistruar rreth 1300 kandidatë të infermieri (infermieri, mami, imazheri, fizoterapi, logopedi dhe teknik laboratori), 40 mjekë, 345 farmacistë si dhe 276 stomatologë.

(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: