Tryeza e përbashkët politike për Reformën Zgjedhore ka përplasur të ftuarit në emisionin “Real Story”, në News24.

Analisti Fatos Lubonja ka pyetur të mandatuarin e PD për reformën, Oerd Bylykbashi, nëse ka opozita një mekanizëm që ta bëjë të gjithëpushtetshme reformën. Në përgjigje të tij, ish-deputeti u ndal te ligji i Dekriminalizimit, duke thënë se Rama ka firmosur 5 kryebashkiakë kriminelë.

Në debat janë përfshirë dhe deputeti socialist, Ervin Bushati, i cili ka thënë se këto 30 vite janë bërë mjaft gjëra pozitive për vendin, si dhe analisti Arjan Vasjari.

Pjesë nga debati:

Lubonja: Ju duhet t’i shpjegoni publikut një gjë. Cilat janë mekanizmat, që do të fusni ju te kjo reforma zgjedhore, që do kenë kaq gjithëpushtetshmëri për të ndaluar ato që thoni ju?

Bylykbashi: A duhej ligji i Dekriminalizimit, që për turp na është dashur. Dekriminalizimi të ndalon të kandidosh për gjithë jetën. Rama i shmanget atij ligji, duke firmosur 5 kryetarë bashkie kriminelë.

Lubonja: Pra, është provë që edhe pse ju bëtë këtë ligj, Rama firmosi kryebashkiakë kriminelë.

Bylykbashi: Ne do vëmë rregulla, që të bëhet më e shtrenjtë kjo shkelje ligji.

Bushati: S’ka lajm në paqe, konflikti e ndez lajmin. PS nuk lëviz nga ajo që ka thënë dhe është koherente. PS ka qëndrimin e njëjtë si më parë, hajde ulemi të flasim në tryezë. Tani PD, ndoshta për llogari të gabuar, taktikë për të mbajtur të vetët të gjallë, pasi është e vështirë të ecësh në shkretëtirë për katër vite, nuk është koherente.

Bylykbashi: Ju jeni shumë koherentë, me dosjet 184/339 dhe ndërruat gjithë prokurorët.

Bushati: Kemi qenë gati të tolerojmë dhe të lëmë shumë. I dhamë gjysmën e qeverisë më 2017. Nuk kemi ndryshuar në asnjë sekondë qëndrimin. Nëse Kasandra do të ishte gjallë sot, do të kishte një show televiziv. Ne s’jemi perfekt, Shqipëria po ecën, jo me hapa breshke, më shpejt seç duhet.

Bylykbashi: Në drejtim të greminës i ke. Është kambanë alarmi, shqiptarët po ikin.

Bushati: Ky debat është edhe në Gjermani e Itali. Opozita bëri gabim të pafalshëm, duke dalë nga institucionet. Mos jemi ne babai i opozitës.

Vasjari: Ju nuk keni për detyrë të edukoni opozitën.

Bushati: Jemi një komb që për 30 vjet gjëra për të rregulluar, por këto bëhen në tavolinë, me paqe.

Vasjari: Që të quhet paqe, duhet ta konsiderojnë të dyja palët të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb