Në seancën e sotme plenare në Kuvend, gjatë fjalës së tij Gazment Bardhi reagoi me kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se ai po përpiqet të pengojë opozitën që të faktojë në Kuvend korrupsionin.

Gjithashtu ai theksoi se asnjë qëndrim nuk do ta pengojë kërkesën e opozitën për ngritjen e Komisionit Hetimor, duke shtuar se vetëm sa po e pengojnë atë përkohësisht.

Po ashtu ai u shpreh se shumë shpejt do të sjellin denoncime të reja duke theksuar se publiku do të marrë vesh se si për një trill personal të Edi Ramës shqiptarët do duhet të paguajnë 120 milion euro.

“Sot është një nga ato raste kur Rama ka vendosur të grisë ligjin për Komisionet Hetimore, për të mos lejuar opozitë për të faktuar korrupsionin e Ramës. Rama ka vendosur të grisë Kushtetutën për të penguar PD-në të faktojë në Kuvend Korrupsionin gjigant me inceneratorët.

Pra kjo është një seancë ku Edi Rama duke grisur ligjin, Kushtetutën merr peng qytetarët. Ai po provon se po sundon me parimin tjetër themi , tjetër bëjmë. Askush nuk kishte dyshim se të gjitha këto do të ndodhnin.

E keni vazhduar duke na hequr të drejtën e fjalës dhe po e kulmoni me tentativë për një të drejtë që na e njeh Kushtetuta. E drejta e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore nuk varet nga Edi Rama. Ju nuk e ndaloni dot ngritjen e këtij Komisioni hetimor, ju vetëm sa po e  pengoni për pak kohë.

Ju kërkoni të ndalni transparencën, dhe me këtë akt ju vetëdenoncoheni sepse tregoni se keni frikë. Ju vendosni fatin e Edi Ramës përpara fatit të fëmijë tuaj. Ju preferoni t’i largoni nga vendi sesa t’i hapni rrugë një procesi që nxjerr në dritë korrupsionin.

E di që socialistët e ndershëm nuk duan Ne sot jemi më të vendosur për t’u përballur me të keqen që po drejton vendin, e bëjmë edhe për ju që heshtni. Ne nuk heshtim dhe nuk do të heshtim.

Ku bazoheni që mohoni të drejtën e opozitën për këtë Komision Hetimor. Është e paimagjinueshme që avokatura e shtetit t’i kërkojë parlamentit të mos ushtrojë të drejtat e veta kushtetuese”, tha Bardhi.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb