Në sulmet ajrore të kryera nga Rusia në fshatin Talite brenda zonës së de-eskalimit të Idlibit në Siri humbën jetën dy civilë.

Në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Observatori opozitar i Avionëve në lidhje me sulmet ajrore në Idlib informoi se avionët luftarakë rusë, të cilët u ngritën nga baza Hmeymim në Latakia, kryen sulme në vend.

Sipas informacioneve të marra nga burime të mbrojtjes civile, dy civilë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore në fshatin Talite.

Situata në Idlib

Qyteti Idlib në veriperëndim të Sirisë, njihet si fortesa e opozitarëve pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme. Me migrimin e brendshëm, Idlibi arriti në 4 milionë banorë dhe në mars 2015 ai kaloi nën kontrollin e opozitarëve. Idlibi ndodhet në krye të rajoneve që regjimi vendos në shënjestër në mënyrë intensive.

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana më 4-5 maj 2017, Idlibi dhe zonat përreth u shpallën “zona të deeskalimit”. Turqia dhe Rusia arritën marrëveshje shtesë pasi forcat e regjimit shkelën shpeshherë armëpushimin.

Forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve të tyre vazhdojnë sulmet pavarësisht marrëveshjes që u nënshkrua në qytetin Soçi të Rusisë më 17 shtator 2018.

Përafërsisht 2 milionë civilë që ikën nga sulmet gjatë periudhës 2017-2020 u detyruan të migrojnë në rajonet afër kufirit turk.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb