TIRANE- Ministri i Jashtëm i Holandës, Bert Koenders, ka përcjellë sot mesazhin e rëndësisë së dialogut për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri. Në një konferencë të përbashkët me ministrin Ditmir Bushati, ai tha se zgjedhjet parlamentare janë një moment shumë i rëndësishëm për vendin.

“Mendoj se zgjedhjet në vijim janë të rëndësishme. Janë një çështje e brendshme dhe nuk dua të përfshihem, por theksoj se është e rëndësishme të ketë dialog politik”, u shpreh Koenders.

Ndërkaq, ministri holandez tha se tashmë ka ardhur koha që reformat të vihen në zbatim, duke vënë theksin tek reforma në drejtësi. Koenders tha se investitorët holandezë kanë kthyer sytë nga Shqipëria, duke përmendur turizmin si në nga fushat më me interes.

“Shqipëria ka bërë një progres të madh prej vitit 1991. Gjatë këtyre viteve është forcuar bashkëpunimi mes vendeve tona. Tashmë po vijohet me marrëveshjet e bashkëpunimit, ndërsa investitorët holandezë po shfaqin interes për Shqipërinë. Ne e gjejmë veten në fusha të ndryshme këtu në Shqipëri, e sidomos në turizëm. Kemi bashkëpunim edhe në forumin ndërkombëtar, në fushën e sigurisë dhe në luftën e përbashkët kundër ISIS-it. Në muajin maj do të ketë fluturime direkte Tiranë-Amsterdam. Ne e mbështetin perspektiven europiane të Shqipërisë. Përshëndetim angazhimin e qeverisë shqiptare në realizmin e reformave në fushën e drejtësisë ka ardhur koha që të gjithë këto reforma të fillojnë realizmin. Mendoj se edhe zgjedhjet në vijim janë të rëndësishme. Janë një çështje e brendshme dhe nuk dua të përfshihem, por theksoj se është e rëndësishme të ketë dialog politik”, tha ministri holandez.

Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u ndal tek reformat, duke theksuar se zbatimi i ligjit të vettingut, është moment kyç për integrimin europian të vendit.

“Shqipëria ka njohur një rritje të pranisë të kompanive holandeze në vendin tonë. Qeveria Shqiptare shpreh angazhimin për vijimin e reformave, për të krijuar një ambient sa më tërheqës për investitorët e huaj. Ne kemi ende një ambient të pashfrytëzuar plotësisht sa i përket investimeve dhe turizmit. Duke filluar nga 10 maji, kompania do të fluturojë 3 herë në javë nga Amsterdami në Tiranë me një kosto të ulët. I shpreha homologut holandez përkushtimin tonë për të ecur përpara e me reformën në drejtësi. Ulja e Shqipërisë në thyezën e bisedimeve do të bëhet në momentin kur ne do të kemi rezultate konkrete të reformës në drejtësi, kam këtu parasysh ligjin e vettingut dhe të tjera ligje me rëndësi për zbatimin e shtetit të së drejtës”, tha Bushati.

Ndërkohë ministri Bushati dhe homologu holandez janë pyetur nga gazetarët edhe për situatën politike dhe bojkotin e Kuvendit nga opozita si dhe procesin e reformës në drejtësi.

Bert Koenders: Duhet të zbatohet reforma në drejtësi. Rëndësi ka të arrihet dialogu politik. Është në interesin e Holandës që ndryshimet kushtetuese të mund të zbatohen. Partitë të përshpejtojnë procesin, pasi njerëzit presin zbatimin e reformës në drejtësi.

Ditmir Bushati: Sa i përket dhënies fund të bojkotit dhe rikthimit në jetën parlamentare. Politika shqiptare duhet të ndahet nga komentimi i mbrapshtë ndaj përfaqësueseve të shteteve të ndryshme në Shqipëri. Asnjë nuk duhet të humbë kohë, 93% e shqiptarëve kërkojnë zbatimin e reformës në drejtësi. Është koha që ti japim jetë procesit të zbatimit të vettingut, pasi pas zgjedhjeve të lira ne do duhet që të tregojmë në tryezën e partnerëve se Shqipëria ka bërë hapa para në procesin e vettingut dhe është e gatshme për anëtarësimin.

Dy zyrtarët i janë përgjigjur edhe pyetjes mbi shqiptarët të cilët kalojnë përmes Holandës për në Britani si dhe fenomenin e azilit në vendet e Evropës.

Bert Koenders: Së pari shqiptarët janë të mirëpritur për turizëm, por nuk mund të kërkojnë azil. Nuk është ide e mirë që të kërkoni azil, pasi nuk mund të përfitoni.

Ditmir Bushati: Shqipëria ka një qëndrim të qartë në lidhje me këtë fenomen, i cili nuk është shqiptar pasi ka edhe vende të tjera me ketë problematikë. Ne po bashkëpunojmë me partnerët tanë për ti dhënë fund këtij fenomeni. Fillimisht kishte një keqkuptim në lidhje me lirinë e ofruar ndaj shqiptarëve, por me pas qytetaret janë qartësuar.

(el.sp/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb