Nga: ERJON SKENDAJ*

TIRANË- Ashpërsimi i masave penalizuese ndaj drejtuesve të automjeteve që udhëtojnë me fëmijë në makinë pa mjete fiksuese ka provokuar një rritje të menjëhershme të kërkesave në treg, veçanërisht për mjete fiksuese për moshat nga 6 deri në 12 vjeç që në tregun industrial të Tiranës mungojnë. Pas një vëzhgimi më të gjerë në Tiranë rezulton se të vetmet dyqane që kanë në gjendje mjete të tilla fiksuese janë ato që shesin produkte të markës për fëmijë.

Por kur mbeten vetëm 6 ditë nga hyrja në fuqi e masave të reja penalizuese të lajmëruara publikisht vetëm pak ditë më parë shtrohet pyetja ku do të gjenden në kaq pak ditë dhjetra mijra mjete fikësuese për fëmijë nga mosha 6 deri në 12 vjec. Për ta bërë më ta qartë këtë mjafton të analizojmë faktin se në Shqipëri ka përafërsisht 500 000 autovetura, prej të cilave së paku 1 e pesta ose 100 mijë transportojnë fëmijë në bordin e tyre, çka nënkupton se iu nevojitet mjet fiksues për çdo fëmijë.

Të pyetur nga News 24 vetë drejtuesit e automjeteve shprehen konfuzë. Ka prej tyre që thonë se nuk janë të njohur me ndryshimet në kodin rrugor, e aq më shumë me penalitetet e ashpërsuara që hyjnë në fuqi në datën 5 shtator.

Në qëndrimin zyrtar policia e shtetit është treguar e prerë se nuk do të tolerojë më transportimin e fëmijëve deri në 12 vjeç pa mjete të posaçme fiksuese, një mjet i domosdoshëm që mund të shpëtojë jetën e tyre në rast aksidentesh. Ata shoferë që nuk do të respektojë rregulloren do të duhet të përballen me gjobë deri në 15 mijë lekë të reja por edhe me bllokim të patentës nga 6 deri në 12 muaj.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb