Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” të premten e kaluar udhëtoi në fshatin Urxallë, për të takuar pjesëtaret e familjes se Bilal Merës. I gjetëm në banesën e tyre të vjetër e të varfër, shumë larg Burrelit, larg spitalit aq të domosdoshëm për ta. Kryefamiljari Bilal Mera është 56 vjeҫ, vuan nga paraliza e pjesshme, depresioni, dhe dëgjimi. Merr një pension të vogël që nuk i del as të udhëtojë për tu vizituar pranë qendrës shëndetësore. Burri ka dhimbje aq sa gjumi nuk e merr, banesa është përherë e akullt dhe sëmundja po e gërryen nga dita në ditë. Ai nuk ka më dëshirë as për të jetuar. “Keq më keq nuk ka, po është kështu lë të më marri shpirtin” thotë ai. “Pensioni që marr si invalid nuk me del.100 mijë lekë çfarë ti bëj? Ushqim herë kam herë s’kam” shprehet ai.

Gruaja Lumja 43 vjeç ka gjithë barrën mbi supet e saj. Kur e pyesim për hallet dhe shqetësimet shpërthen në lot e të këput zemrën me ato që thotë. “Më është mërzit jeta, nuk më del ai pensioni, fëmijët më sëmurën. S’kam hëngër qysh mbrëmë, burri ka 10 vjet i sëmurë, edhe dy çunat janë sëmurë. Do kisha vdekur më gjithë këto hallë, ja ku jam”. Dhimbja e 43-vjeҫares është shumë e madhe, nuk mundet t’i ushqejë fëmijët dy adoleshentë dhe një më të vogël.

Bashkëshortin, Bilalin nuk mundet t’i ҫojë tek mjeku, nuk ka asgjë çfarë t’u ofrojë, vetëm shpirtin. Ajo nuk dëshiron gjë tjetër, vetëm të jetë afër spitalit. “Lekë s’ka ti vizitojë, dua ta çoj ta vizitoj por nuk kam para për udhëtim. Më gjeni një kasolle vetëm të jem afër spitalit. Po vuajmë për një paracetamol” thotë gruaja duke përlotur.

Djemtë e familjes Mera, Ergisti dhe Jurgeni janë adoleshentë. Ata vuajnë nga sëmundjet e trashëguara, si mungesa e dëgjimit dhe depresioni. Ergesti është 19 vjeҫ dhe Jurgeni 16. Të dyve sëmundja i është shfaqur në moshën 4-vjeҫare. Ata kanë pasur edhe një motër, Renaldën e cila vuante gjithashtu nga e njëjta sëmundje, por në moshën 6-vjeҫare ajo ndërroi jetë.

Ergesti është personi më i vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhen, por ai nuk mundet të bëjë asgjë. Jurgeni ndihet shumë i vetmuar. Nuk ka shokë dhe nuk ka asnjë gjë për të bërë, as me vëllain e madh nuk mund të bisedojë dot, për shkak të mungesës së dëgjimit. Ndërsa Aleksi, është i vetmi fëmijë që nuk ka trashëguar sëmundjen. Ai është 7 vjeҫ dhe të gjitha shpresat e familjes janë te ai. Aleksi është në klasë të parë, sapo ka filluar të mësojë abetaren. Rasti i familjes Mera po trajtohet këtë të premte në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”. A do ndryshojë jeta e tyre?
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb