Kryeministri Edi Rama në një lidhje direkte për televizionin italian Rai3 deklaroi se vendimi për të dërguar skuadrën me 30 mjekë e infermierë në Itali, në vijën e parë të luftës kundër COVID-19, erdhi shumë natyrshëm.

Teksa dha mesazhin e qartë se të gjithë shtetet brenda Bashkimit Europian nuk duhet të rrinë duarkryq, por të kujdesen për njëri-tjetrin, ndërkohë që qytetarët janë ata që duhet të rrinë në shtëpi. Mes të tjerash ai tha se disa prej personelit mjekësor që u nis për në Bergamo, nuk i kishte njoftuar prindërit, me frikën se nuk do i lejonin.

“Gjithçka erdhi shumë natyrshëm (dërgimi i personelit mjekësor në Itali). Atë që po ndodhte në Itali, duke e parë në televizor, duke ndjerë dhimbjet e atij populli, thamë, që më mirë të dëgjojmë Nënë Terezën që thoshte; ‘Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri’. Ne e ndezëm një. Ishte një ide që unë ia thash presidentit italian. Më pas ai tha se do të ishte fantastike. Kishim dhe disa dyshime se ata nuk do të ishin shumë të gatshëm që të shkonin në këtë luftë, por të gjithë u përgjigjën pozitivisht menjëherë. Madje kishte dhe nga ata që nuk ia kishin thënë prindërve. Ma thanë në aeroport, që “nëse do ua thoshim prindërve, s’do na linin. Do na mbyllnin derën”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal dhe tek pamjet e njohura nga eksodi shqiptar, ku mijëra qytetarë po zbarkonin drejt brigjeve të Italisë, e cila për ta ishte ‘toka e premtuar’.

“Ato ishin ditë të paharrueshme të një vuajtje, pasi dilnim nga diktatura e 50 viteve. Vinim nga detit. Përveç episodeve që përjetuam kudo në botë, të urrejtjes, Italia, nga mikpritja, na adoptoi. Është shtëpia jonë. Nuk është një shtëpi diku në botë që digjet por shtëpia jonë. BE për ne është një hapësirë qetësie. Ta shohësh Italinë në këtë situatë, të bën keq, por jemi para një armiku që ka sulmuar botës, të gjithë. Shtëpia jonë e përbashkët që po digjet, nuk duhet të rrimë në dhomën tjetër. Njerëzit duhet të rrinë në shtëpi, por shtete duhet të luftojnë bashkë. Nuk fitohet një luftë kështu nëse shtetet rrinë në shtëpi si qytetarët.”, pohoi ai.

Po ashtu Rama nuk i kurseu kritikat për Bashkimin Europian, që sipas tij duhet të bëjë hapa para për të ndihmuar vendet e prekura nga pandemia.

“Italia ka qenë pranë Shqipërisë, kur është dashur. Të gjithë ata që kanë qeverisur Italinë për këto 30 vite, e kemi ndjerë përkrahjen gjithmonë. Presidenti dhe kryeministri italian kanë qenë avokatët tanë në tryezat e BE. Ne duke qenë se e dimë se jemi të varfër, i morëm masat më shpejt, dhe u futëm në shtëpi. Siç thotë Murinjo, vumë autobusin përpara. Ajo që unë kam frikë se do të ndodh pasi të ikë armiku, mund të kemi krize ekonomike. Këtu ka nevojë që BE të bëjë një hap para, s’duhet vetëm të thuhet që të marrim masa vetëm ne dhe të përdorim buxhetet tona.”, tha kryeministri.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: