TIRANE

Mbrëmjen e së hënës, vetëm pak ditë pas ditëlindjes së të ndjerës Adelajda Xhamani, miqtë e saj Eraldo, Iva, Fatmira, njerëz që e njihnin nga afër, por edhe njerëz që e deshën nga ekrani u mblodhën bashkë në emër të saj. Salla e madhe e ‘ArTurbina’ ku u zhvillua koncerti ‘Në vend të Adelës’ ishte mbushur plot duke kaluar çdo pritshmëri. Arbana Osmani, mes emocionesh kujtoi kohën kur e takoi për herë të parë Adelën, para 10 vitesh.

“Adelën e kam njohur gati 10 vite më parë. E kam njohur dy netë përpara se të hynte në atë që do të kthehej në spektaklin më të diskutuar, më të shikuar, sepse ishte e pranishme një vajzë që vinte nga një vend i vogël si Kavaja. Na dha edhe një mësim të jashtëzakonshëm me vdekjen e saj të parakohshme që nëse duam ta jetojmë jetën, duhet ta bëjmë tani,” – u shpreh moderatorja Arbana Osmani.

I gjithë koncerti iu dedikua Adelës që të gjithë njihnin. Adelës që transmetonte aq shumë pozitivitet dhe që erdhi me ëndrra të mëdha në Tiranë dhe që ia doli t’i realizojë shumë prej tyre. Adelës që njihnin miqtë e saj më të ngushtë, Adelës që adhuronte muzikën.

Artistët e ftuar e kujtuan Adelën me fjalët dhe me këngët e tyre, e me krenari treguan sa të lumtur ndiheshin për pjesëmarrjen në koncertin që kishte një qëllim aq human. Elma Isufi, një vajzë e thjeshtë, me ëndrra të mëdha dhe me arritje të shkëlqyera në mësime ështa vajza që fitoi bursën e akorduar.

Në emër të Bashkisë së Tiranës Adelajda Xhamanit ju akordua ‘Medalja e Mirënjohjes së qytetit’, në nder të kontributit që ajo dha për shumë vite si gazetare dhe për rolin e rëndësishëm në emancipimin e femrës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së tyre. Ky titull u tërhoq nga tezja e saj e cila mes lotësh falenderoi pjesëmarrësit dhe tregoi krenarinë që ndjen për mbesën e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb