Nënkryetarja e Partisë së Lirisë Floida Kërpaçi me anë të një postimi në Facebook ka deklaruar se qeveria Rama po bëhet gati të miratojë në Kuvend një buxhet për vitin 2023 që i shërben klientëve të tyre, ndërsa PL ditën e sotme ka depozituar disa ndryshime në projektbuxhet sa i takon studentëve dhe arsimit.

Kërpaçi shkroi se ndër masat e propozuara përfshihen ndihma prej 100 eurosh në muaj për çdo student për periudhën Janar-Qershor 2023, rritja e menjëhershme 30% e pagës së pedagogëve me premisën për një tjetër rritje 20% dhe rritjen me 12% të pagave të mësuesve e garantimi i teksteve të reja mësimore falas për të gjithë nxënësit deri në klasën e nëntë.

Sipas saj mjafton që deputetët të ngrenë kartonat që t’i japin 100 Euro në muaj studentëve, libra falas e të rinj nxënësve, paga më të larta mësuesve dhe pedagogëve, në vend të milionave në minutë që mazhoranca u jep oligarkëve.

Postimi i plotë:
MBËSHTETJA FINANCIARE ANTIKRIZË E PARTISË SË LIRISË PËR ARSIMIN!
Qeveria Rama po bëhet gati të miratojë në Kuvend një buxhet për vitin 2023 që i shërben klientëve të tyre.
Partia e Lirisë është parti e të rinjve dhe vlerëson se arsimi është kryeprioritet, që duhet të gjejë mbështetjen e duhur buxhetore nga shteti, ndaj sot kemi depozituar në Kuvendin e Shqipërisë këto ndryshime në projektbuxhetin Rama, sa i takon studentëve dhe arsimit.
1. 100 Euro në muaj për çdo student, për periudhën Janar-Qershor 2023, si përgjigje ndaj krizës së kostos së jetesës.
Kështu, studentët në Shqipëri do të mbështeten të paktën sa bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë, i cili ka buxhet shteti më të vogël.
2. Rritje e menjëhershme 30% e pagave për pedagogët, me premisën që vitin tjetër të rritet 20%, për t’u barazuar të paktën me trajtimin financiar të kolegëve të tyre në Kosovë.
Rritje me 5 miliardë lekë fondi për kërkimin shkencor, për të arritur të paktën 0.3% PPB.
3. Rritje 12% e pagave të mësuesve, përmes shtimit të 1.3 miliard lekëve në zërin shpenzime korrente për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm.
Mësuesit shqiptarë janë të fundit në rajon për nga trajtimi financiar, me pagat më të ulëta. Vendet fqinje si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, i trajtojnë mësuesit e fëmijëve të tyre me më shumë prioritet se sa qeveria Rama e koncesioneve klienteliste.
4. Tekste mësimore falas për të gjithë nxënësit nga klasa I deri në klasën IX. Duke dedikuar 350 milionë lekë shtesë në buxhetin e shtetit për arsimin, tekstet do të ribotohen dhe nxënësit e klasave I-IX do të marrin libra të rinj çdo vit.
Partia e Lirisë e ka vullnetin që ta mbështesi rininë shqiptare me buxhetin dhe arsimin cilësor për të cilin ka nevojë.
Në datën 24 Nëntor 2022 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhen në seancë plenare për ta votuar buxhetin.
Ligjet janë gati!
Mjafton që deputetët të ngrenë kartonat që t’i japin 100 Euro në muaj studentëve, libra falas e të rinj nxënësve, paga më të larta mësuesve dhe pedagogëve, në vend të milionave në minutë që mazhoranca u jep oligarkëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb