Moderatorja e njohur, Eva Murati, ka reaguar ashpër dhe e revoltuar pas protestës disaditore kundër vrasjes së Klodian Rashës nga policia, duke u ndalur tek ata që komentuan djegien e pemës së Vitit të Ri nga protestuesit dhe jo te humbja e jetës së 25-vjecarit.

Në një postim në rrjetet sociale, moderatorja shkruan se ‘ata treguan që në vend të zemrës kanë një grusht qymyr’.

Eva Murati theksoi se ‘dhuna po sjell dhunë’, ndërsa shtoi situata ka ardhur për shkak të mllefit të akumuluar për padrejtësi ndër vite.

Moderatorja ngriti pyetjen se kush do mbajë përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve dhe gazin lotsjellës që po thith çdo banor.

Postimi i plotë:

Kronikë e javës që lamë pas

Të martën në mëngjes, kur dëgjova për herë të parë për ngjarjen, ende para se të zbulohej emri i të ndjerit, pata një dëshperim tejet të thellë. Ndoshta për shkak të moshës së njëjtë mendova që Klodianin do ta kisha njohur diku, në 9-vjeçare, gjimnaz apo fakultet. Ngushëllimi i familjes mu duk veprimi i duhur.

Pas tronditjes që ndjen kur një bashkëmoshari yt ka humbur jetën, pa faj, tmerrohesh nga realiteti sesi po përshkallëzon situata.

A nuk e kuptoni që jemi të gjithë të lënduar dhe DHUNA PO SJELL DHUNE!! Kush mban përgjegjësi për gjithë këtë dhunë? Kush mban përgjegjësi për gazin lotsjellës që po thith çdo banor, i madh i vogël, i Tiranës?

E urrej vandalizmin po realisht treguat veten që keni një grusht qymyr në vend të zemrës ju që reaguat për pemën para jetës së një të riu!

E gjithë kjo situatë na ka tmerruar por edhe na ka zgjuar! Ky eshte mllef i akumuluar për padrejtesi ndër vite!

Po si kemi ardhur deri ketu? A kemi reaguar kur e shohim qartë se pjesa me e madhe e intelektualeve po shkojnë në mërgim? Po kur degjojme se në Europe shqiptaret kane statusin e dealerit te droges? Po që jemi vend që prodhojmë naftë dhe serish kemi çmimin më të lartë të naftës në rajon? A kemi reaguar thjesht kur shohim të promovohet prostitucion dhe degjenerim në mediat tona? A kemi reaguar kur uniforma e policisë zhvleresohet nga nje rrogë e ulet dhe rendom degjon njerez të mburren sa herë korruptojnë një polic? A kemi reaguar për çmimet jashte realiteit shqiptar të banesave? Po për nepotizmin që e sheh në çdo zyrë? Po për faktin që në gjithë këtë Shqiperi qenka kaq e vështirë të gjesh njerëz pa të kaluar kriminale për të vënë në poste të rëndësishme?

Këto i them si nje njeri pa parti por si dikush që ndërgjegjia qytetare e bën që fajin së pari ta kërkojë tek vetja!

Nëse nuk reagojmë çdo ditë, si për gjëra të medha ashtu edhe për të vogla, për të mbrojtur të drejtat tona qytetare atëherë ose pranojmë çizmen Orwelliane ose durojmë derisa shpërthejmë në këtë mënyrë!

E mbyll ashtu siç e nisa, duke shprehur ngushellimet për familjen Rasha, Zoti jua lehtësoftë dhembjen! Jeni në lutjet e çdo shqiptari!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb