Një letër që në pamje të parë është e tejdukshme dhe një plumb. Nuk është vetëm (as) një vepër arti. Artisti shqiptar Armando Lulaj i ka dërguar një plumb në zarf dje Muzeut të Arteve të Bukura, ose ish-Galerisë së Arteve Kombëtare në Tiranë. Lajmin e ka konfirmuar vetë ai për “Gazeta Shqiptare”. “PLUMB NË ZARF”, 2018 ka edhe shpjegimin e vet.

“Si i vetmi institucion i rëndësishëm i artit në vend, Galeria Kombëtare e Arteve, sot Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, është konsideruar historikisht pikë referimi për artistët vendas, sikundër edhe për publikun. Ndërtesa aktuale, e cila ndodhet në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, u inaugurua më 29 nëntor 1974, në përvjetorin e çlirimit të vendit. Ky është edhe momenti i parë i riorganizimit dhe ristrukturimit të institucionit, falë të cilit misioni dhe veprimtaria artistike e galerisë vazhdoi shtysën drejt vizionit shtetëror për ndërtimin e të ardhmes socialiste”, shënon ai në tekstin që shoqëron imazhet e zarfit në platformën “DebatikCenter”.

Lulaj
Lulaj

Artisti, i njohur për veprat e tij vitet e fundit dhe si përfaqësues i Shqipërisë në Bienalen e Venecias (2015), ka një mesazh që përçon me zarfin e fundit.

“Në këtë moment të kohës sonë, kur i gjithë aparati shtetëror aktual shfaqet mëse i vendosur, që me çdo mjet të lançojë vendin drejt bashkëkohores, institucioni më i rëndësishëm i artit, si pasojë e transformimit të tij në muze, i është nënshtruar një ristrukturimi dhe rindërtimi të dytë. Qëllimi bashkëkohor i lajmëruar prej qeverisë socialiste që prej vitit 2013 nuk ka shfaqur ende e nuk mund të shfaqë kurrsesi asnjë shpërthim vizionar, asnjë zgjim, e asnjë hapje reale institucionale. Gjurmët që po lënë pas zbulojnë gjithnjë e më shumë drejtimin e kundërt. Institucioni është ngurtësuar e vetëmbyllur, ndërkohë që shpërthimi i vërtetë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë jashtë tij”, thotë Lulaj.

Ai shton se “në këto kohë të demokracisë së paqartë dhe të kontrollit total politik mbi artin, në këtë datë historike të çlirimit të vendit nga nazifashizmi që përkon me përvjetorin e 44-t të inaugurimit të kësaj godine, i dërgova institucionit një copëz të vogël realiteti”. Ai e cilëson “PLUMB NË ZARF”, një dhuratë për Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura. Ky akt u vulos dhe u siglua më dt. 29 Nëntor 2018, në orën 09:20, dhe ju dërgua Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura, ish-Galeria Kombëtare e Arteve, me shërbim ekspres të brendshëm postar me nr. EB756471574AA.

Bullet In Envelope 2018 By Armando Lulaj
Bullet In Envelope 2018 By Armando Lulaj

EDUKIM PËRMES HESHTJES
Prej një viti, Galeria Kombëtare e Arteve që me ligjin e ri merr emrin Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, është vënë në qendër të kritikave, teksa në drejtim është Erzen Shkololli. Duke e vlerësuar emrin e zgjedhur, por pa ditur platformën dhe konceptet e tij mbi institucionin, pas një kohe amullie, pati edhe një kohë kritikash. (E kundërta do të ish-komunizëm) pas disa muajsh heshtje, GKA ose MAB u “rihap” me Edi Hilën, e çka vijoi pas tij, nuk e dha së gjeri idenë e hapjes, pavarësisht cilësisë së ekspozitave. Krejt e kundërta. Edhe në një bisedë me Hilën, artistë të pranishëm shfrytëzuan rastin për të përcjellë pakënaqësitë ndaj Shkolollit dhe ministres Mirela Kumbaro, duke u shprehur se u janë mbyllur dyert e nuk i pret më njeri. Nëse ishte me vend që kritikat të bëheshin në bisedën e Hilës – ky është tjetër diskutim – por të gjendur pa zë, a të padëgjuar, artistët shfrytëzuan të vetmen mundësi që ju dha. Së fundmi, heshtjes së pothuaj një viti, u është shtuar edhe mbyllja e Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” – për çka sërish nuk ka sqarime zyrtare, siç do të duhej të ishte, kur bëhet fjalë për një institucion kombëtar si GKA dhe një ekspozitë tradite si Çmimi “Onufri”.

As Çmimi “Onufri” e as GKA nuk mund të jenë vendime personale të askujt as të mbeten vullnete personale të askujt. Hapja kulturore që propagandohet, cilësia e eventeve, mesazhi e frytet, përballja me të tjerë, kultura si pasaportë – nuk arrihen me mbylljen e “Onufrit” pas mbylljes së kahershme edhe të çmimit për fotografinë. Mbi çfarë ta matim veten? Cilët jemi ne që vendosim pa pyetur dhe nuk kumtojmë çfarë kemi vendosur? Mbi të gjitha, nuk mund zhbëhet një traditë duke u fshehur pas heshtjes. Përndryshe, ky a këta, nuk mund të jenë më institucione të kulturës. Të cilës kulturë? Të asaj që po e zhbëjmë pa pasur guximin të themi pse? Të cilës hapje me Europën? Të asaj që ia çmojmë traditën por nuk e marrim shembull? Dhe nëse ka një plan, për të cilin publiku nuk ka dijeni, pse nuk bëhet publik – siç bëhen publike dhjetëra e evente nën mesataren, vetëm e vetëm pse janë financuar në një masë nga buxheti i ministrisë. As Ministria e Kulturës që deshi ta mbyllte “Onufrin” edhe dy vite më parë, as GKA, nuk e kanë parë me vend të sqarojnë se çfarë i çoi në marrjen e këtij vendimi dhe në fakt cili është vendimi. Tani, do të duhej të vizitonim ekspozitën e përvitshme ndërkombëtare. Por përtej godinës me suva të rënë, nuk ka asgjë. Qyteti është zbukuruar për foto, adresat zyrtare në rrjetet sociale të ngopin me imazhe, por (ç’)edukimi përmes heshtjes është ai që po i vret ardhmëritë e pritura. Modernitet i lëngët! /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb