LEZHË

Arrestohet autori i plagosjes së 37-vjeçarit Ardian Kola, ngjarje e ndodhur mbrëmë në qytetin e Lezhës. Policia e Lezhës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme falë veprimeve të shpejta hetimore bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Prej mbrëmjes së djeshme, dhjetëra forca policie të Komisariatit të Policisë dhe të DVP-së Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në disa banesa në fshatin Troshan si dhe kanë krehur e mbajtur të rrethuar zonën e pyllëzuar të fshatit Troshan, zonë në të cilën autori mundi të fshihej pas ngjarjes.

Si pasojë e presionit të kontrolleve dhe rrethimit të zonës së pyllëzuar si dhe falë edhe negociatave që Policia e Lezhës bëri me të afërmit e autorit të dyshuar që ai t’i dorëzohej organeve të Drejtësisë, para pak minutash u bë e mundur që në fshatin Troshan, autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Sandër Dedgjonaj, 22 vjeç, të dorëzohej.

I riu akuzohet se mbrëmë në qytet Lezhë pas një konflikti të çastit ka plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin Ardian Kola, vjeç 37, banues në Lezhë.
Materialet procedurale në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprime mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb