Sllovenia është kryesuesja e radhës e BE dhe qëndrimin e këtij vendi mik për konferencën e parë ndërqeveritare që shënon zyrtarisht çeljen e negociatave e ka sjellë sonte ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri Peter Japelj, i cili deklaroi në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 se për vendin e tij Shqipëria i ka përmbushur kushtet.

Ai tha më tej se procesi për të dy vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është paketë dhe se është i lidhur, teksa u shpreh optimist për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë.   

A është kjo një ‘Jo’ e prerë, apo është një ndërprerje?
Është një proces që ka një ndërprerje të vogël. Dje në Bullgari pati zgjedhje. Po presim qeverinë e re brenda verës dhe është një momentum i ri. Gjermania dhe Portugalia punuan shumë, pasi kjo ishte pengesa e fundit për negociatat, dhe shpresojmë që këtë ta zgjidhim brenda presidencës sllovene.

Pse vendet anëtare nuk i dhanë dy vendeve një datë për tryezën e parë ndërqeveritare?
Vendimi duhet të merret në unanimitet. Shumica e vendeve ishin në favor, siç kanë qenë që në fillim, por në fund të gjitha shtetet duhet të thonë po.

Një vit më parë, shumë thanë që Shqipëria penalizoi Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave. A mendoni se tani është e kundërta?
Sigurisht është një paketë. Të dyja vendet të nisin bashkë këtë proces. Ka disa arsye pse vendimi u mor i tillë.

Pra është definitive që fati i dy vendeve do të jetë i lidhur?
Nuk mund të them që është përfundimtare. Vetëm vdekja dhe taksat janë të sigurta në Slloveni. Por këtu, deri në fund të presidencës sllovene nuk shoh ndonjë ndryshim lidhur me këtë çështje.

A i ka përmbushur Shqipëria kushtet e vendosura nga BE?
BE i kishte vendosur kushtet e qarta dhe në bazë të tyre përgjigjja është po.

Kemi Gjykatën Kushtetuese dhe zgjedhjet e përgjithshme u zhvilluan. A mund të quhen dy kushte të përmbushura?
Për Slloveninë dhe për Komisionin Europian, po.

Një tjetër kusht është lufta kundër korrupsionit, besoj i keni parë operacionet e fundit të SPAK, a janë të duhurat për një gjyqësor të pastër?
Mendoj që janë sigurisht. Sistemi gjyqësor ndjek gjithmonë krimin e organizuar brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunimi me vendet e BE është provë për rezultate të sigurta.

A duhet që këto operacione të shtrihen edhe te zyrtaret publikë dhe politikë? Përmend këtu rastin e kryebashkiakut të Lushnjës, që ndodhet në burg për korrupsion.
Ky operacion, në shtetin e së drejtës, duhet të kapë çdo kënd që është fajtor. Nëse kushdo shkel ligjin, ai duhet të mbajë përgjegjësi.

Pas refuzimeve të BE për negociatat, kryeministri Edi Rama ka qenë i zhgënjyer me Brukselin. Pavarësisht kësaj, ai thotë se familja europiane mbetet alternativë e vetme për integrimin. Si i keni parë këto reagime të kryeministrit?
Është një proces i gjatë. Të dyja palët kanë dhënë. Është koha e BE tani të japë. Këtë ja u them nga eksperienca ime. Duke marrë parasysh nga këndvështrimi i Sllovenisë. Nuk mund të krahasojmë një shtet me një tjetër, por hyrja në BE është një proces i vështirë kërkues, shumë e rëndësishme se si ecin gjërat. Kam qenë diplomat i ri në atë kohë, dhe u përballëm me frustrim në popullsinë tonë, mungesë vullneti për të çuar përpara, sepse ka pasur zhgënjim. Por në fund, pas kësaj, në momentin që u bëmë pjesë e BE, gjërat u hodhën pas, u harruan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb